Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përbërë nga Etleda Çiftja, Brunilda Bekteshi dhe Genta Tafa Bungo në kuadër të verifikimeve të pastërtisë së figurës dhe pasurisë, nisi sot seancën dëgjimore me gjyqtaren e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj.
Pasi drejtuesja e KPK, Etleda Çiftja i bëri me dije të drejtat gjyqtares, seanca dëgjimore po vijon me dyer të mbyllura.
Verifikimi do të bëhet lidhur me pastërtinë e figurës, por edhe pasurinë e saj.
Të dhënat e analizuara tregojnë se gjyqtarja Xhoxhaj zotëronte në vitin 2003 një pasuri familjare me vlerë 15.4 milionë lekë. Ndërsa në vitin 2017, pasuria e saj ka kapur shifrën e 39.2 milionë lekëve ose 2.5 herë më e lartë.
Të ardhurat familjare të deklaruara nga gjyqtarja përgjatë viteve në detyrë vijnë nga disa burime. Pjesa kryesore e të ardhurave përbëhet nga paga si gjyqtare në 46.4% dhe paga e familjarëve në 36.9%.
Vendin e tretë në portofolin e të ardhurave e zënë dhuratat në kesh në 7.1%, të ndjekura nga të ardhurat nga qiratë në 4.6% dhe nga mësimdhënia në 2.5%.
Nga 14 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik për gjyqtaren Xhoxhaj, rezultojnë me probleme me shumë të pajustifikuar në vlerën e rreth 1.7 milionë lekëve.
Një tjetër problem i identifikuar në këtë analizë është shuma e kursimeve familjare në kesh, që referuar deklarimeve vit pas viti kap vlerën e 13.5 milionë lekëve në fund të vitit 2017.
Para saj në KPK u shqyrtua gjyqtari i Kushtetueses Fatos Lulo, i cili për shkak se nuk justifikoi dot pasurinë, u shkarkua nga detyra. Po ashtu u shkarkua edhe gjyqtari i Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva.
Sakaq gjyqtarja tjetër Vitore Tusha, është e vetmja që deri më tani, ka kaluar filtrin e vettingut. Por pak ditë më parë KPK shkarkoi edhe prokuroren e Apelit Shkodër, Besa Nikhasani, për shkak se pasuria e saj rezultoi e pajustifikuar./a.m.