Ministrja e Arsimit e shpreh qarte, askush te mos guxoje te pranoje studente me mesataren poshte 7.
Një ditë pas zyrtarizimit nga qyteti i Fierit të vendosjes së mesatares 7 për degët e mësuesisë, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla takimin e parë informues e filloi me maturantët e këtij qyteti. Në këtë takim në Gjimnazin “Janaq Kilica” me maturantët më të mirë të Fierit, ministrja Nikolla theksoi se reforma tërësore në mësuesi ka filluar, për të ndryshuar situatën e krijuar në vite dhe për t’i rikthyer dinjitetin mësuesve.
Ndaj kërkoi nga maturantët të zgjedhin mësuesin si profesion të parë, pasi reforma synon që profesioni mësuesit të jetë ndër më të kërkuarit në treg.
“Vendimmarrje me rëndësi e këtij procesi, që ka të bëjë me një të re të këtij procesi, që është vendimmarrja e Këshillit të Ministrave pikërisht këtu në Fier. Ne kemi ecur me angazhimin tonë për të filluar një reformë tërësore në mësuesi dhe për të gjithë ata maturantë që preferojnë një prej programeve të mësuesisë, duhet të plotësojnë një kriter të notës mesatare, ta kenë mbi 7. D
uhet të ndërhyjmë në këtë proces që të mos ta lëmë sistemin tonë parauniversitar, edhe pa vëmendjen e duhur, në atë që është kyçi, për të pasur cilësi, që janë mësuesit. Nuk mund të rrinim symbyllur, dhe të shikonim se gjithmonë dhe më shumë maturantët më të dobët zgjidhnin profilet e mësuesisë, e më pas atje në universitete problematikat e veta e për të injektuar pastaj në sistem mësues të dobët që mezi merrnin provimet e shtetit, e me radhë. Jemi duke adresuar, kemi bërë një plan të detajuar, kemi bërë prognozat e para se sa do të jetë masa e ndikimit për shkak të futjes së notës mesatare 7, në mënyrë që të mos cënojmë as maturantët por as universitetet me një notë 7 e cila do të ulte në mënyrë drastike numrin e tyre. Universitetet dhe ne bashkë duhet të bëjmë të pamundurën që programet e mësuesisë të përcjellin mësues cilësorë.” – deklaroi Nikolla
Ministrja tregoi edhe mundësitë që ofron ministria për studentët me mesatare të lartë që të zgjedhin këtë profesion. Ndërkohë që nuk la pa përmendur edhe anën financiare e cila do të sjellë një ndryshim të dukshëm të trajtimit të profesionit të mësuesit.
“Thirrja ime është që të zgjidhni programet e mësuesisë. Kryesisht nxënësit e mirë sepse qeveria do të mbulojë përmes bursave, të gjitha ata maturantë me notë mesatare mbi 9, do të mbulohen tarifat e studimit. Por ne do të bëjmë edhe diçka tjetër, që lidhet me bërjen e profesionit të mësuesit, profesion të kërkuar. Duke mundësuar në fakultetet e edukimit një histori të re të formimit të tyre. Duke bërë një proces rekrutimi të bazuar vetëm mbi meritë dhe proces transparent dhe sigurisht një proces kualifikimi kah nevojave të çdo mësuesi me standardet më të mira që bota ka. Kjo është njëra anë, ana tjetër patjetër që është paga. Ky mandat në arsim ka emrin e mësuesit, për ta rritur deri në 40% deri në fund të mandatit pagën e mësuesit.” – theksoi Nikolla
Shazie Sherri, mësuese me një karrierë të gjatë dhe të nderuar në qytetin e Fierit, solli shembullin pozitiv të punës së saj dhe arsyet se përse maturantët duhet të zgjedhin këtë profesion të jetës së tyre.
“Ku ka më bukur se sa në krye të kësaj detyre, të shikosh sot që nxënësit e tu rrokin skenat, jo vetëm të vendit por edhe jashtë. Të jesh mësues është një detyrë fisnike. Mësuesi i klasës së parë mbahet mend, asnjë nuk e harron. Dhe ju duke qenë në prag të zgjedhjes suaj, ju uroj më të mirën në dyert e hapura të universitetit, dhe të zgjidhni pa frikë pikërisht këtë profesion se ju fisnikëron. Dhe është një profesion i cili ju nderon dhe respekton tërë jetën.” – deklaroi mësuesja.
Gjatë këtij takimi maturantët diskutuan me ministren Nikolla edhe për maturën shtetërore dhe kriteret e pranimeve. Ata morën angazhimin e ministres se procesi i maturës është maksimalisht i mbështetur në meritën e gjithsecilit dhe transparencë të plotë ndërsa për kriteret e pranimeve ato janë tashmë të konsoliduara dhe solide në vitin e tretë të tyre. (Balkanweb)