Kërkesat për azil të shtetasve shqiptar për në vendet e BE-së kanë pësuar një rënie përgjatë vitit 2017 dhe kjo falë masave të marra nga autoritet shqiptare. Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda e bëri këtë deklaratë gjatë një konference të përbashkët për mediat me Sekretarin për Azilin dhe Migracionin në Belgjikë Theo Francken. Sipas Vodës që prej korrikut 2017, Policia e Shtetit ka forcuar masat në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me fokus të veçantë të miturit e pashoqëruar, duke proceduar me ndjekje penale për të prindërit që lenë të miturit e pashoqëruar në vendet e BE-së.
“Kemi bërë fushata intensive sensibilizuese; masa administrative dhe procedime për favorizuesit dhe nxitësit e azilit të paligjshëm; kemi proceduar punonjës policie që duke shpërdoruar detyrën apo përmes korrupsionit lejonin kalimin e personave me probleme në dokumentacion për të udhëtuar në Shengen; si dhe jemi të vendosur për goditjen e grupeve kriminale që janë të përfshira në këtë veprimtari. Të gjitha këto masa që ne kemi ndërmarrë deri tani kanë dhënë një efekt paraprak. Në vendet e zonës Shengen ne kemi një ulje të kërkesës për azil me 24% për vitin 2017, sipas të dhënave të Eurostat. Gjithashtu mjafton të kujtojmë faktin se 3 muajt e parë të këtij viti, iu është refuzuar dalja rreth 5,400 shtetasve shqiptarë për mungesë dokumentacioni” theksoi zv.ministrja Voda.
Sekretari për Azil dhe Migracionin në Belgjikë Theo Francken i kërkoi qytetarëve shqiptar të respektojnë rregullat e migracionit dhe nënvizoi se Belgjika nuk jep azil.
“Përsa i përket autoriteteve belge mund t’ju themi qartë që për ne Shqipëria është një vend i sigurt dhe një demokraci e stabilizuar. Dhe kjo është arsyeja sepse për qytetarët shqiptar ne kemi bërë gati dhe tashmë po aplikojmë një sistem që e sjellë vendimin shumë shpejt për kërkesat për azil. Kjo do të thotë që brenda pak javësh ne arrijmë në një vendim të shpejt. Dhe më lejoni të jem fare i qartë. Vendimi për azilkërkim ka për të qenë negativ. Ai do të shoqërohet me një urdhër të menjëhershëm largimi nga territori i Belgjikës si dhe po ashtu me një urdhër i cili ju ndalon hyrjen në të gjithë zonën Shengen. Ne i japim azil shtetasve nga Siria. Ne nuk i japim azil shtetasve që vijnë nga Shqipëria. Ky nuk është një vend në luftë; ky nuk është një vend me politik opresive; ky nuk është një vend ku gazetarët futen në burg dhe kjo është një demokraci e qëndrueshme. Pra ne nuk i japim azil shqiptarëve” tha Francken
Më herët Sekretari për Azil dhe Migracionin u prit në një takim nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Gjatë takimit Ministri e falënderoi për mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë ne procesin e anëtarësimit në BE. Palët diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit lidhur me frenimin e fenomenit te migracionit të paligjshëm dhe azilkërkimit./a.m.