Nga Miokom Zeqo/
Tema e kriptokrishtërimit, ose e krishtërimit të fshehtë është e studjuar në shumë rrafshe studimore nga dijetarë të formatit të madh, të cilët kanë ravizuar fakte nga më të çuditshmet dhe më interesantet. Studimet për këtë temë në Shqipëri janë ende të pakta, por nuk boshllëk.
Të merresh me kriptokrishtërimin në Shqipëri është të shtosh një dimension të rëndësishëm në kriptokrishtërimin e botës.
Kjo gjë ka disa arsye substanciale: Shqipëria është një nga trojet me krishtërim burimor nga më të hershmit, që në gjenezë të krishtërimit, që në kohën e apostolimit të krishtërimit të hershëm, në raport edhe me vendet e tjera të pellgut mesdhetar, çka përbën një pasuri fetare dhe kulturologjike të krejt njerëzimit.
Studimet shqiptare për gjenezën e krishtërimit në Shqipëri ose të krishtërimit apostolik kanë grumbulluar fakte të një rëndësie të veçantë jo vetëm të përhapjes së krishtërimit ndërmjet ushtarëve ilire të legjioneve romake, por në mënyrë të veçantë të apostolimit të vetë apostulit Pal në Ilirinë e Jugut si dhe të dishepujve të tij deri në Dalmaci.
Të dhënat e përftuara nga letrat e Shën Palit, por dhe të “Akteve të Apostujve”, përfshirë në Dhjatën e Re, tregojnë jo vetëm hollësira, por edhe faktin që pikërisht në rrethinat e Durrësit ka apostoluar edhe një nga figurat më të ditura, Apolonin, një hebre me origjinë nga Aleksandria, i cili ka patur edhe disa divergjenca me Shën Palin.
Sipas Farlatit në Durrës ka ekzistuar një komunitet të krishterësh që në vitin 51 pas Krishtit, kurse në kohën e perandorit Trajan është masakruar një nga martirët e famshëm të krishtërimit Shën Asti, kulti i të cilti ka qenë shumë i gjallë, sidomos në mesjetë në Shqipëri.
Zbulimet arkeologjike në Shqipëri kanë zbuluar dëshmi të rëndësishme. Kështu një varr i shek.II zbuluar në Durrës, ka afresk me shenjën e krismas, simbolit më të hershëm të kryqit.
Vetë unë, autori i këtyre rrjeshtave kam zbuluar në Karaburun një skalitje në gur të dy fytyrave të një mashkulli dhe të një femre, që më rezultojnë sipas literaturës së ikonografisë së hershme të krishterë si ravizimi më i vjetër në Evropë i figurës së Krishtit dhe Kishës, sipas konceptit të Martesës Mistike.
Po në Karaburun kam gjetur një amforë të skalitur, që është simbol i mrekullisë së Krishtit në dasmën e Kanës të shndrrimit të ujti në verë.
Këto dëshmi kaq të skajshme bashkohen me zbulimin e afro 50 bazilikave paleokristiane të shek.IV, VI, që përbëjnë një thesar të dhënash për paleokristianizmin, çka e rreshton Shqipërinë ndër vendet me një krishtërim tepër të fuqishëm dhe të zhvilluar.
Krishtërimi në Shqipëri dokumentohet qartë, jo vetëm në atë të quhet krishtërimi apostolik por dhe në krishtërimin zyrtar, mbas aktit epokal në historinë e njerëzimit të perandorit Konstandini i Madh.
Kriptokrishtërimi ka disa faza. Ndër fazat më pak të studjuara do të përmendja ekzistencën e kriptokrishtërimit gjatë kohës së krishtërimit apostolik, të ilegalitetit të tij dhe të përndjekjes mizore nga ana e Perandorisë Romake.
Kriptokrishtërimi fillimisht në Shqipëri ka shfrytëzuar traditën pagane dhe ikonografinë pagane në formë alegorike. Në Durrës është zbuluar një mozaik i shek.III me figurën e Orfeut, ku në mënyrë alegorike, përfaqësohet vetë kulti i Krishtit. Po në Durrës është zbuluar një qeramikë e shek.II, III të Krishtit në formën e hyut Helios.
Skena e mozaikut të famshëm të bazilikës së Arapajt e shek.VI shfrytëzon figurën e Bariut të Mirë, për të paraqitur kultin e Krishtit.
Në Shqipëri dokumentohen edhe disa kulte gnostike, të cilat konkurrojnë me krishtërimin, siç është kulti i Mithras, por edhe kulti gnostik i ideuar nga Bazilidi i Aleksandrisë i shek.II me figurën e Abrakasit, që dokumentohet në një mozaik të zbuluar në Mesaplik afër Vlorës dhe që sot ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar dhe i takon shek.VI.
Krishtërimi e fiton përfundimisht betejën e tij me rrymat gnostike, por edhe me rrymën heretike të Ariusit, duke u bërë përfundimisht nje fe botërore, duke zotëruar kështu fetarisht edhe Shqipërinë.
Për arsye të ndryshme historike, krishtërimi është atakuar dhe përndjekur edhe më vonë. Kjo ka krijuar mbijetesën e krishtërimit në formën e një dualizmi, ose të asaj që quhet kriptokrishtërim.
Dokumentet historike tregojnë se gjatë pushtimit osman të Shqipërisë dhe të procesit të islamizimit, megjithatë krishtërimi nuk u zhduk, kurse kriptokrishtërimi, sipas shumë dijetarëve ka gjëlluar në një formë origjinale dhe të veçantë sidomos në krahinën e Shpatit në Shqipërinë Qëndrore, por dhe në rrethinat e Prizrenit. Tashmë këto janë fakte të njohura në rrafshin shkencor dhe teologjik.
Kriptokrishtërimi është një fenomen jo vetëm shqiptar. Kriptokrishtërimi u bë i dukshëm në ishullin e Kretës, kur Kreta u pushtua nga saraçenët në vitet 825 – 961. Kriptokrishtërimi gjëlloi dhe në Kaukaz, në Siri dhe në Azinë e Vogël.
Kriptokrishtërimi u paraqit në tërë territorin e Ballkanit. Në Qipro dhe në Kretë kemi kriptokrishterët të quajtur Linovanvakët, në Serbi u quajtën Sharenët, në Shqipëri u quajtën Laramanët, kurse në Greqi kemi rastin e kripto të krishterëve të quajtur Vallakalles.
Edhe sekti i Bogomilëve në mesjetë, pavarësisht nga heretizmi i tij ruajti për shumë kohë elemente të fesë së mëparshme.
Emra të tjerë të kriptokrishterëve në Ballkan si Mesokertilles, Paramesi, Tvojverie, Dipistia etj., tregojnë pikërisht popullsi, që ishin në mes të dy feve, që në dualizmin e tyre në formën e jashtme, gjoja ishin konvertuar në fenë islame ose në një fe tjetër, kurse në përmbajtjen e brendshme vazhdonin të ishin të krishterë.
Procesi i islamizimit të shqiptarëve qe plot kontradikta dhe plot rezistencë. Shqipëria e Gjergj Kastriot Skënderbeut u bë një kampione e krishtërimit në betejat kundër pushtimit turk.
Dokumentet e para pas vdekjes së Skënderbeut, tregojnë se të krishterët shqiptarë rrezistuan gjatë për të mos humbur identitetin e tyre fetar. Urdhëri perandorak osman i 5 nëntorit 1568, na mëson se banorët e krahinës së Pukës, ndonëse formalisht qenë konvertuar në myslimanë, nuk i respektonin urdhërat e islamit, por kryenin me përpikmëri shërbesat e krishterëve, martesat i bënin në kishë, fëmijët i pagëzonin me një emër të krishterë, që përdorej në shtëpi, por i vinin edhe një emër mysliman për jetën publike.
Në një relacion të kryepeshkopit të Tivarit, Marin Bicit drejtuar Papa Pavlit të V më 1610, flitet për shqiptarët, të cilët i detyrojnë me dhunë të ushtrojnë muhametizmin “por mbajnë në zemër besimin e krishterë”. Të njëjtën gjë thotë dhe Grigor Mazreku në relacionin e tij të vitit 1650 për shqiptarët në rrethinat e Prizrenit, të cilët vetëm kanë ndryshuar emrat në myslimanë, “por në zemër janë të krishterë”.
Kryepeshkopi i Tivarit, Vinçens Zmajeviç, më 1703 flet për praninë e kriptokrishterëve në Shqipërinë e Veriut dhe atë të Mesme. Kriptokrishterët në shek.XVII-XVIII ende rrezistojnë, por është interesant një fenomen ai i martesave ndërfetare, ku tashmë edhe gratë e besimit mysliman, pagëzohen fshehurazi dhe në familje konsiderohen si të krishtera.
Më vonë fenomeni i kriptokrishtërimit merret seriozisht nga ana e Vatikanit dhe Kongregacionit, Propoganda Fide, duke u interesuar që kriptokrishterët të mos e vazhdojnë më këtë jetesë të dyfishtë, se ndryshe do t’u mohohen sakramentet. Aktet e Kuvendit të Arbërit më 1703 në Merqi të Lezhës bëjnë një analizë edhe të problemit të kriptokrishterëve si dhe merren disa masa organizative dhe konceptuale për kthimin e kriptokrishterëve, nga të fshehtë dhe ilegale në krishterë të hapur dhe zyrtarë.
Kriptokrishtërimi dokumentohet si në Shqipërinë e Veriut dhe në Shqipërinë e Jugut dhe atë Qëndrore. Në zonën e Lurës populli feston festat e mëdha të krishterëve dhe të myslimanëve ku në formën e një sinkretizmi fetar marrin pjesë të gjithë pa përjashtim, duke krijuar kështu traditën e një tolerance të habitshme.
Kthimi i ortodokseve në Shqipërinë e Jugut në islamizëm , morri përmasa të mëdha në shek.XVIII. një prift murg nga Voskopoja Nektar Terpo (1685-1732), i cili ka qenë dhe igumen në manastirin e Ardenicës, botoi një libër, të quajtur “Libri i quajtur Besim”, ku i bën thirrje të konvertuarve në islamizëm, që të kthehen në besimin ortodoks dhe njëkohësisht bën një kritikë shumë të rreptë dhe të ashpër për fenomenin e kriptokrishtërimit.
Një fenomen tjetër i rëndësishëm është sinkretizmi fetar tek bektashinjtë, ku nderimi i islamizmit dhe krishtërimit, krijoi një doktrinë të veçantë edhe me elementë budistë dhe gnostikë, por edhe me një traditë akoma më të heshme të kriptokrishtërimit. Të dhëna të shumta historike flasin për këtë sinkretizëm fetar, kryesisht në krahinën e Labërisë dhe të Skraparit.
Kriptokrishtërimi krijon kështu një histori shekullore në Shqipëri, që mund të përbënte subjektin e një libri historik dhe teologjik të klasit të parë.
Mund të flitet për kriptokrishtërimin në mënyrë konvencionale dhe gjatë ateizmit shtetëror të Shqipërisë moniste në gjysmën e dytë të shek.XX. pas vitit 1991, liria e bindjeve fetare solli ndryshime të mëdha. Një fenomen që duhet përmendur është, që një numër i madh njerëzish nga krahina e Shpatit, ku kemi një nga traditat më të vjetra të kriptokrishtërimit, bëri një kalim publik masiv në besimin ortodoks.
Për fat të keq shumë dokumente që ndodhen në Arkivin e Shtetit, nuk janë publikuar për të bërë kështu dimensionin e kriptokrishtërimit në historinë kombëtare të Shqipërisë.