Një ditë pas publikimit të vendimit të Departamentit të Shtetit, që i ndalonte deputetit Tom Doshi dhe familjes së tij hyrjen në SHBA, ka reaguar edhe ambasada amerikane në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada konfirmon vendimin e DASH teksa shpërndan edhe njoftimin zyrtar.
“Departamenti i Shtetit po njofton publikisht se ka ndaluar deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi, sipas nenit 7031 (c) të Aktit të Ndarjeve të Përbashkët të FY 2017, të hyjë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion. Pas ish kryeprokuorit Adriatik Llalla, Tom Doshi bëhet zyrtari i dytë nga Shqipëria të cilit i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në raste madhore korrupsioni”, thuhet në njoftim.
Referuar legjislacionit amerikan, Sekretari i Shtetit mund të firmosë shpalljen “non grata” të zyrtarëve të huaj nëse ka informacin për ëprfshirjen e tyre në korrupsion ose shkelje të të drejtave të njeriut. Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik. Në rastin konkret njoftimi për Doshin u bë publik./a.m.