Departamenti Amerikan i Shtetit ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe eksponentëve të opozitës në drejtim të ambasadorit Donald Lu.
Pas zbulimit të letrës së ish-kryeprokurorit drejtuar Kongresit Amerikan dhe akuzave të lëshuara nga Berisha ndaj ambasadorit Lu, “Sot” iu drejtua me një email Departamentit Amerikan të Shtetit, lidhur me këto deklarata dhe qëndrime. Llalla e akuzoi ambasadorin Lu se po ndërhyn në punët e brendshme dhe të prokurorisë.
Por në një prononcim për gazetën, zëdhënësi i DASH, Ambrose G. Sayles, ka deklaruar se në çdo dalje publike apo qëndrim të mbajtur, ambasadori ka shfaqur pikëpamjet e Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Komentet e ambasadorit Lu reflektojnë politikën e SHBA. Politika e SHBA në Shqipëri është ofrimi i mbështetjes për integrimin e vendit në BE dhe realizmin e reformave të rëndësishme në përmbushjen e këtij qëllimi.
Kjo përfshin reformën gjyqësore, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm”, tha zëdhënësi i DASH.
Përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit u pyet dhe për akuzat e lëshuara nga Sali Berisha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës se ambasadori Lu ka punuar që mazhoranca të kapë reformën në drejtësi.
Po ashtu ai është akuzuar për mbështetje nga Soros me qëllim që reforma të bëhet sipas interesave të PS. Mirëpo DASH mendon krejt të kundërtën.
Sayles tha për gazetën se çdo lloj asistence për reformë në drejtësi është bërë në bashkëpunim si me mazhorancën, ashtu dhe me opozitën. Madje ai deklaroi se SHBA nuk do të lejojë asnjë keqpërdorim të reformës.
“Ne kemi punuar në partneritet për më shumë se dy vjet me liderët e qeverisë, Parlamentit, opozitës, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar, për të miratuar dhe zbatuar reformën domethënëse të gjyqësorit.
DASH do të vazhdojë të flasë në favor të rendit ligjor dhe reformës në drejtësi, si dhe kundër tentativave për manipulimin e zbatimit të saj”, tha zëdhënësi.
Ambasadori Lu dhe ambasadorja Romana Vlahutin, gjatë dy viteve të fundit, janë kthyer në një tabelë qitje nga PD dhe LSI. Ata ishin personat që mundësuan realizimin e reformës në drejtësi dhe teksa ajo po jep efekte, javët e fundit doza e sulmeve është shtuar ndjeshëm.
Përplasja më e ashpër nisi mes ambasadorit amerikan dhe ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Fillimisht ishte DASH që e shpalli “non grata” dhe më pas Llalla sulmoi ambasadorin, duke e bërë atë fajtor.
Por ditët e fundit mediat nxorën një letër që Llalla i kishte dërguar një vit më parë Kongresit Amerikan, ku akuzonte ambasadorin Lu se i kishte kërkuar arrestimin e Ilir Metës dhe kishte ndërhyrë në punët e brendshme të prokurorisë.
Po ashtu e akuzonte se është i lidhur me Soros dhe po e deformonte reformën në drejtësi. Javën që lamë pas në mbështetje të Llallës doli ish-kryeministri Sali Berisha, i cili po ashtu deklaroi se Lu dhe Vlahutin zbatuan projektin e Soros që reforma në drejtësi të kapet nga qeveria.
Mirëpo DASH ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet. Sipas zëdhënësit të DASH, reforma në drejtësi është investim i SHBA dhe ajo nuk do të lejojë asnjë manipulim në zbatimin e saj./a.m.