Anëtarët e Parlamentit Evropian (PE) i kanë dërguar një letër autoriteteve kosovare përmes të cilës shprehin shqetësim të madh për arrestimin dhe deportimin e shtetasve turq nga Kosova, duke thënë se Kosova duhet të respektojë principet dhe standardet evropiane.
Në iniciativën e anëtarit të PE-së, Igor Sholtes, raportuesi i PE-së për Kosovën dhe deputetes Rebeka Harms, deputetët nga 28 vende evropiane nga grupe të ndryshme politike i dërguan letër presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.
Kjo është letra e plotë e 29 deputetëve të Parlamentit Evropian:
Shkëlqesia e tij, Hashim Thaçi, President i Kosovës
Shkëlqesia e tij, Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës
Në fillim të muajit prill, u alarmuam për rastin e gjashtë shtetasve turq që u ndaluan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi si pasojë e lidhjeve të tyre të pretenduara me lëvizjen gyleniste. Lejet e tyre të qëndrimit janë anuluar pa asnjë procedurë ligjore dhe u deportuan pa asnjë gjykim apo kontakt me avokatët e tyre në kundërshtim me parimet e sundimit të ligjit. Ne kritikojmë ashpër këto ngjarje të rënda.
Sërish u alarmuam pas njoftimit të presidentit turk Erdogan se më shumë njerëz do të ekstradohen nga Kosova në Turqi. Meqë Kosova është pjesë e procesit të pranimit, ajo duhet t’i ndjekë standardet evropiane. Sundimi i ligjit është parim themelor i Bashkimit Evropian. Jemi të shqetësuar se është harruar tërësisht se vendet janë moralisht dhe ligjërisht të obliguara të respektojnë konventat dhe protokollet ndërkombëtare, që janë hartuar për të mbrojtur dinjitetin themelor njerëzor dhe janë zbatuar për shekuj me radhë nga civilizimi ynë.
Ne duhet të përpiqemi për një shoqëri gjithëpërfshirëse e jo për një që ekstradon njerëz mbi bazën e lidhjeve të dyshuara politike.
Si Anëtarë të Parlamentit Evropian, kërkojmë me ngulm nga ju që të respektoni në plotësi të gjitha procedurat ligjore në pajtim me parimet dhe standardet evropiane.
Të gjitha veprimet e ndërmarra nga autoritetet lokale kosovare duhet të jenë në respekt të plotë të sundimit të ligjit dhe promovimit të respektit universal dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Procedurat arbitrare në lidhje me arrestimin, ndalimin apo ekstradimin janë në kundërshtim me këto parime.
Ne besojmë tek autoritetet kosovare që të mbajnë qëndrim të fuqishëm në të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit dhe se do t’i rezistojë presionit të Turqisë në mënyrë sistematike, përgatiti Express (Vijon firma e 29 deputetëve). (b.an)