Gjatë 10 viteve të ardhshme, Shqipërisë i duhet të financojë mbi 1.6 miliard euro për siguruar ujë për popullatën, bujqësinë dhe industrinë.
Strategjia kombëtare për menaxhimin e burimeve ujore nënvizon faktin se, 50% e kësaj shume duhet investuar në 5 vitet e para. Për të përballuar përmbytjet duhen 49 milionë euro; për ngritjen e kapaciteteve administruese, 64 milionë euro të tjera; kurse për cilësinë e ujit, 24 milionë euro.
Paratë, qeveria thotë se do t’i sigurojë përmes mbështetjes buxhetore dhe donatorëve të tjerë ndërkombëtarë.
Uji është burim natyror strategjik për Shqipërinë. Sipas strategjisë, megjithëse i pasur me burime ujore, me 8 lumenj dhe 3 liqene të mëdhenj të lundrueshëm, një numër të madh lagunash dhe burimesh të bollshme ujërash nëntokësore, vendi do të përballet me efektet e ndryshimeve klimatike, që shoqërohen me rritjen e temperaturave dhe uljen e sasisë së reshjeve, gjë që do të sjellë dimër më të butë, pranverë më të ngrohtë dhe verë e vjeshtë më të thata dhe më të nxehta.
Në strategji thuhet se, burimet ujore pritet të ulen me 14% deri në vitin 2050, e kjo gjë kërkon ndërhyrje të mëtejshme me investime. Ndryshimi i regjimit të reshjeve do të sjellë reshje të rrëmbyeshme të gërshetuara me shkrirje të hershme të dëborës, shkaktuar nga rritja e temperaturave në pranverë, duke sjellë kështu përmbytje më të shpeshta.
Presione shtesë do të vijnë për shkak të rritjes së popullsisë, zhvillimit ekonomik dhe konkurrencës për burimet ujore. Top Channel