Amerika Latine është rikthyer sërish në vëmendje pasi një tjetër shtetas shqiptar ka mbetur i vrarë në një atentat tipik mafioz, pak ditë më parë në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota.
Bëhet fjalë për sarandjotin Adriatik Lagji, i cili prej vitesh jetonte në këtë shtet, ndërsa ende nuk ka asnjë të dhënë lidhur me motivet e vrasjes së tij, edhe pse dyshimet e para bien mbi lidhjet e mundshme me trafikun e drogës. Por ndër vite, shtetet e Amerikës Latine, veçse kanë eksportuar kokaine drejt Europës, kanë importuar dhe persona me të dhëna të forta kriminale. Të paktën 6 atentate janë regjistruar vitet e fundit në Kolumbi e Ekuador, ku objektiva kanë qenë shtetas shqiptar. Por pavarësisht këtyre shifrave, të cilat për një vend si Shqipëria nuk janë të vogla, nga informacionet që disponon Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, situata është mëse normale. Shqipëria ka përfaqësi diplomatike vetëm në Brazil, përfaqësi e cila mbulon dhe shtetet e tjera të Amerikës Latine.
Në një përgjigje për Vizion Plus, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, ka bërë një pasqyrë të situatës në këto vende dhe të shtetasve shqiptarë që kanë probleme me drejtësinë.
“Sipas informacioneve që kemi deri në fund të vitit 2017, në Brazil ndodheshin 3 të burgosur, në San Paolo për çështje narkotikësh, por Ambasada nga viti 2016 e në vijim nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga autoritetet e Brazilit.
Ambasada ka një bashkëpunim të përhershëm me të gjitha vendet e Amerikës Latine që kanë Selitë e tyre në Brazilia lidhur me numrin e shqiptarëve, situatën e tyre me drejtësinë, etj. Nga përgjigjet e marra nga disa vende duke përfshirë Kolumbinë, Republikën Dominikane, Paraguai, etj nuk rezulton të ketë shqiptarë të ndaluar apo me probleme me drejtësinë”, deklaron ministria e Jashtme.
Atentati i fundit në Bogota vjen pas bllokimit të 613 kg kokainë në Durrës, e që ishte nisur pikërisht nga Amerika Latine, ndonëse nuk dihet nëse dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën. (Vizion)