Kombëtarja shqiptare u mund 1-0 nga Norvegjia, në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e parë të këtij viti. Bëhej fjalë për një miqësore, ku kuqezinjtë zhgënjyen me lojën e tyre. Megjithatë, kjo nuk ndikoi për keq në renditjen mujore të FIFA-s, ku trajneri Panucci dhe të tijtë u ngjitën dy vende.
Natyrisht, kjo vjen si rezultat i llogarisë së të tjerëve, që kanë pësuar rënie në këtë klasifikim. FSHF-ja ka zyrtarizuar tashmë miqësoren e radhës, që do të luhet ndaj Ukrainës, në Zvicër, në muajin qershor, ku kuqezinjtë do të zhvillojnë një zbor disaditor. Mbetet të zbardhet miqësorja e dytë në këtë periudhë të lirë nga FIFA për ndeshje të këtij lloji. Sidoqoftë, FSHF-ja ka zyrtarizuar sot një tjetër miqësore, që do të luhet në muajin nëntor. Bëhet fjalë për sfidën me Uellsin, në “Elbasan Arena”, më 20 nëntor.
Të dyja federatat përkatëse kanë gjetur akordin përfundimtar. Kujtojmë se në periudhën shtator-dhjetor të këtij viti, skuadra jonë përfaqësuese do të zhvillojë ndeshjet zyrtare eleminatore për grupin e saj në kompeticionin e Ligës së Kombeve (UEFA Nations League).
Ndërkohë, duke qenë se grupi ynë është me tri skuadra, Shqipëria do të luajë në datat përkatëse edhe dy ndeshje miqësore, një prej të cilave është kjo me Uellsin.
a.ç