Prokuroria e Tiranës ka vendosur që të mos fillojë procedimin penal ndaj ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj.
Imeraj u dorëhoq nga ky pozicion, duke iu shmangur procesit të vettingut. Por, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të referojë dosjen e tij në Prokurori për hetime të mëtejshme.
Por, ndryshe nga KPK, Prokuroria ka dalë në përfundimin se nuk ka elementë të veprës penale në dokumentet e marra nga KPK.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se ka referuar pranë Zyrës së Prokurores së Përgjithshme të gjithë dokumentacionin që rezultoi nga hetimi administrativ, gjatë procesit të rivlerësimit të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj.
Besnik Imeraj, që i përfundonte mandati në vitin 2022, u dorëhoq në vitin e pestë të mandatit të tij si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Motivet e kësaj dorëheqjeje argumentohen për shkaqe personale dhe shëndetësore.
Gjyqtari kushtetues, Imeraj, së bashku me gjyqtarin Gani Dizdari ishin dy gjyqtarët kushtetues që gjatë shqyrtimit të ligjit të Vettingut votuan kundër me argumentin se gjatë këtij procesi kishte ndërhyrje të ekzekutivit.
Më herët, Gjyqtari Imeraj ka qenë pjesë në trupat gjyqësore ku janë shqyrtuar dosje të bujshme si “Gërdeci”, dosja “Meta” apo ajo e rrugës Durrës-Kukës-Morinë.
Dorëheqja e Imerajt u bë para se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të niste procesin Vettingut.
a.ç