Qeveria kosovare e Mustafës ka një gur të rëndë në qafë dhe ai lidhet me projektet e mëparshme të qeverisë Thaçi. Në këtë kuadër, kësaj qeverie i duhet të finalizojë kontratën 600-milionëshe me “Bechtel Enkan” brenda tre vjetëve. Kjo e ka detyruar Qeverinë e Kosovës të hyjë në kredi për përfundimin e projekteve të tjera që sjellin më shumë punësim.
Përveç ndërtimit të Rrugës 6, Qeveria ka trashëguar edhe disa projekte të tjera që do t’i gëlltisin pothuajse të gjitha mjetet e parapara për investime kapitale në tre vjetët e ardhshëm.
“Pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve do të duhej të mbulonte financimet për projektet e filluara në vitin 2015 (dhe më parë) siç janë: financimi i rrugëve Prishtinë – Mitrovicë dhe Prishtinë – Pejë, vazhdimi i projekteve në sektorin e shëndetësisë, vazhdimi i projekteve që ndikojnë në përmirësimin e sektorit të ambientit, vazhdimi i ndërtimit të shkollave, të ndërtimit të objekteve qeveritare, si dhe projekteve të tjera të infrastrukturës”, thuhet në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, referuar Koha Ditore.