Prokuroria e Tiranës dërgoi në gjykatë dosjen hetimore ndaj ish-kryetarit të bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi. Në deklaratën e dhënë për mediat, prokuroria saktësoi se shtetasi Elvis Rroshi akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave apo formularëve” parashikuar nga neni 190 / 1 i Kodit Penal.
Hetimi ndaj tij ka nisur në 9 qershor të vitit 2016 mbi bazën e akteve të ardhura nga Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas organit të akuzës, shtetasit Elvis Rroshi ka pretenduar se nuk ka qenë i dënuar në një shtet të huaj, ndërsa prokuroria deklaron se tashmë është provuar e kundërta.
Në deklaratë shtohet se subjekti i ligjit të dekriminalizimit ka fshehur përdorimin e disa emrave në të shkuarën e tij të arrestimeve, ndalimeve, dënimeve, dëbimeve, masave të ndryshme sigurie dhe shtrënguese në Itali, Zvicër dhe Gjermani, falsifikim dokumentash, shqiptare dhe të huaja.
Gjithashtu shtohet se “në vitin 2015, DEA ka informuar autoritetet zviceriane se ata po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash”.
Por për këtë pikë, në njoftim shtohet se nuk ka detaje të mëtejshme. Po ashtu dhe autoritetet zviceriane po kryejnë hetime të mëtejshme. Dosja ndaj tij është paraqitur në gjykatë prej Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Tiranë, Enklid Gjini.
Pikërisht nën akuzën e fshehjes së një dënimi në Itali dhe përdorimit të emrave të tjerë, KQZ vendosi në 12 dhjetor të vitit 2016 ti heqë mandatin e Kryebashkiakut. Në të njëjtën ditë dhe Kryeministri firmosi shkarkimin e Elvis Rroshit nga kryetari i Bashkisë së Kavajës. Nëse akuzat gjykata do ti konsiderojë të drejta, Rroshi rrezikon nga gjashtë muaj deri në katër vite burg.