Gazetari i njohur kosovar Enver Robelli ka qenë shumë i ashpër së fundmi me ish-kreun e SHISH Fatos Klosi që ditët e fundit ka bërë disa dalje publike duke folur për luftën. Ai e ka akuzuar direkt se po fsheh krimet. “Zhurma që bëjnë eksponentë të dyshimtë të nëntokës së spiunazhit si Fatos Klosi për luftën e Kosovës është edhe një përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve. Ai që në vitin 1998 e quante Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës degë të rrjetit terrorist “Al-Kaida” sot shpallet “veteran”. Shoqëria kosovare nuk duhet të lejojë që të manipulohet me historinë, të lakohen faktet sipas interesave politike, të shlyhet kujtesa dhe periudhat e rëndësishme të stolisen me përralla, mite, krenari të rrejshme dhe mohime këmbëngulëse të krimeve”.
Nga ballafaqimet e deritanishme po shihet se Klosi është i zemëruar sidomos me Pandeli Majkon, kryeministrin e Shqipërisë, gjatë krizës së madhe të Kosovës, i cili kishte bërë përpjekjen e parë serioze për të ndërprerë kontrabandën me armë që zhvillohej nën mbikëqyrjen e njerëzve të Klosit dhe të të ashtuquajturit “Shtab i Përgjithshëm i UÇK-së”. Majko duket se tentoi ta legalizojë mbështetjen e lëvizjes për çlirimin e Kosovës dhe të pengojë luftën vëllavrasëse, atentatet e krimet e tjera, të cilat nxiteshin, inspiroheshin dhe kryheshin nga një krah i UÇK-së, që lirisht mund të quhet celulë staliniste për rrëmbim pushteti në Kosovë – dhe jo çlirim nga Serbia, shkruan ai.