Lidhja Demokratike e Kosovës ka dy opsione për Qeverinë aktuale, marrëveshje ndërpartiake për datën e zgjedhjeve të parakohshme, në të kundërtën do të iniciojnë mocion mosbesimi. Mbështetje kësaj nisme të LDK-së, i ka dhënë edhe Vetëvendosje, raporton KTV.
LDK-ja insiston se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi koalicioni qeverisës ka humbur shumicën në Kuvend për të qeverisur me vendin. Partia më e madhe opozitare kërkon marrëveshje me partitë për zgjedhje të parakohshme, e nëse kjo nuk bëhet, do të bëjnë mocion për rrëzimin e Qeverisë. Këtë nismë të LDK-së do ta përkrahë edhe partia tjetër opozitare, “Vetëvendosje”.
Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, në faqen e tij në Facebook, ka thënë se ka shumë arsye pse Qeveria Haradinaj duhet të largohet.
“Vetëvendosje është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e Qeverisë. Shumica dërrmuese e popullit dhe shumica e deputetëve të Kuvendit janë në opozitë me këtë Qeveri. Mbetja e kësaj Qeverie në pushtet është dhunim i demokracisë qytetare e parlamentare, i vullnetit të popullit e i interesit të përgjithshëm. Nuk mund të mbeten shteti e populli peng as të qejfit të kryeministrit dhe as të frikës së presidentit.”
Grupi i Deputetëve të Pavarur nuk është përgjigjur nëse do ta japë votën për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Pas vendimit të Listës Serbe për të dalë nga koalicioni qeverisës, ekzekutivi nuk e ka shumicën në Kuvend, pasi kanë vetëm 51 deputetë.
Ditë më parë, kryeministri Haradinaj, ishte shprehur se nëse LDK-ja është për zgjedhje, do t’i ketë edhe votat e AAK-së. (Koha)