Nga Andrea Danglli/
Dakord! Seksi shet, madje shet aq shumë sa strategët e bizneseve here pas here heqin ndonjë paralele krah tij për të gjeneruar më tepër të ardhura!
Këtë tashmë e dimë të gjithë dhe tek kjo pikë s’ka nevojë as për shpikje, teori apo filozofi urbane. Tjetër kund rreh nervi. Ajo që të vret sytë dhe të shpon veshët në këtë rast është kur në skenën mediatike vendoset një fëmijë dhe autorët e programeve janë gati që në emër të audiencës t’u thonë vogëlushëve se “Kësulkuqen e përdhunoi gjahtari në mal ose Borëbardha kreu orgji me 7 xhuxhat”. Oreksi për pultin e televizorit apo zhurmën online, kemi parë se nuk pyet shumë për norma njerëzore.
Tani le të dalim tek ngjarjet konkrete që duhet të na skuqin ne të rriturve përpara se të nxijnë jetën e fëmijëve që sot aq dinë dhe aq bëjnë.
Tamam kjo skuqje më nxiti të artikuloj disa radhë që mbase ndokujt do t’i duken si shpenzim kohe pavarësisht se flitet për edukimin e vogëlushëve.
Unë së fundmi pa dashur kam rënë në “Rrjetën e Piter Pan”. Nisur nga emri përfytyroja që emisioni me këtë titull të kishte disi në boshtin e vet botën e fëmijëve të cilën shkrimtari i mrekullueshëm skocez James Matthew Barrie e përshkruan aq bukur në librin e tij. Por paradoksalisht, në këtë rast sirenat ishin përkthyer në pjeshka dhe zanat ishin përshtatur në femra “derr seksi”.
Pavarësisht respektit për punën e Znj. Vera Grabocka e cila përmes spektakleve është përpjekur të ngjyrosë këto 27 vjet tablonë e zymtë të Shqipërisë sonë, nuk mund të qëndrojmë indiferent pa i treguar se ku çalon programi i saj dhe pse mjaft elemente gjykohet nga një pjesë e opinionit shoqëror se janë të patransmetueshme.
Të gjithëve mbase i pëlqen nga pak kur dëgjojnë për herë të parë që vogëlushi/ja i tyre thotë një fjalë të pistë apo diskuton çështje të rriturish. Qeshin dhe kënaqen me padjallëzinë apo sinqeritetin e tyre pa dashur që kjo të përsëritet.
Por sot, në një kohë kur media është një prej instrumenteve më të fuqishëm edukativ, nuk mund të lejojmë që tek fëmijët të shkojnë material të dëmshme për formimin e tyre.
Pas çdo jave kam qenë i detyruar prej punës që bëj për ta monitoruar si program dhe diskutimet për pjeshkën e Albana Osmanit, për synetllikun e Saimir Kodrës, ngjizjen e djalit të Dritan Shakohoxhës, marrëdhëniet seksuale apo si bëhet bebi, është degradim i qartë mediatiko-kulturor pasi programi komunikon edhe me mijëra fëmijë përtej ekranit. (asgjë me VIP-at) Për çfarë i shërbejnë edukimit të fëmijës historitë intime të përçuara në një formë aspak profesionale? Ata jam i bindur se kanë shumë vlera për të dëshmuar përtej aspektit intim.
Në këtë rast mendoj nuk funksionon ‘teoria urbane’, “Po s’të pëlqeu kape pultin dhe ndërro stacionin” pasi është abuzim me vigjilencën e një fëmije që e ka të vështirë ta kuptojë ndikimin e programit në formimin e personalitetit të tij. Sidoqoftë një prind i informuar mirë mund t’ja sqarojë emisionin fëmijës së tij, po një i paformuar që ja le në dorë televizionit si t’ja bëjë?
Nuk flitet për një batutë apo dy, flitet për raste të përsëritura pjesë pas pjese dhe emision pas emisioni ku në gojën e fëmijëve vendosen përmbajtje banale, bajate dhe me pasoja për shëndetin psikologjik. Mbase unë nuk jam psikolog që ta konstatoj definitivisht këtë gjë, por ama do ishte çudi nëse ndonjë ekspert i fushës do të pajtohej me këtë qasje perverse ndaj seksit. (Apo psikologu që duhet të ketë programi, nëse ka)
Nëse AMA s’do të ishte kaq e përgjumur dhe organizatat e fëmijëve do bënin më shumë punë përveç vjeljes së fondeve, ne të tjerët nuk do kishim arsye për t’u gjendur përballë demek-emisionesh që i shfrytëzojnë poshtërisht fëmijët për t’i shndërruar në “kukulla audience”!
Sot, Piter Pan bashkë me shokët dhe shoqet ka nevojë ta shijojë ashtu siç duhet fëmijërinë. Ata duan që ne të bëjmë më të mirën për ta dhe t’i garantojmë një trase të sigurt ku të nisin fluturimin e tyre drejt të ardhmes. Ka kohë për “pjeshkat”, “fiqtë” dhe “frutat e tjera” të cilat kanë stinën përkatëse të jetës për t’u njohur, këputur dhe ngrenë.
Shënim: Unë përshkrova vetëm këtë rast por mesazhi vlen edhe për formate të tjera televizive të cilat duhet të jenë më të përgjegjshëm kur flitet për fëmijët. Të kërkosh të drejtat e fëmijëve s’është kurrë e tepërt, ndaj le të kërkojmë reflektim.