Janë mbi 300 mbetje mortore në Institutin e Mjekësisë Ligjore që datojnë që nga Lufta e Parë Botërore e deri në luftën e vitit 1999 në Kosovë, që nuk janë identifikuar ende se kujt i përkasin. Por, shumica e këtyre mbetjeve mortore janë të personave që nuk lidhen me luftën e fundit, por që aktualisht janë në morgun e Prishtinës. Në morg ka trupa të foshnjave të porsalindura, por edhe shtetas të huaj të cilët kanë vdekur në mënyra të ndryshme që nga paslufta, por që asnjëherë askush nuk i ka kërkuar.
Këta të fundit do të varrosen në një lokacion që komuna e Prishtinës ka ndarë afër varrezave në Dragodan. Por, në këto varreza nuk do të varrosen mbetjet mortore që kanë mbetur nga lufta e fundit.
Udhëheqësi i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka treguar për KosovaPress se për shkak të mbingarkesës të frigoriferëve me mbetje mortore, janë rastet e shtetasve të huaj, fetuset, të porsalindurit dhe rastet të cilat familjarët nuk dëshirojnë t’i marrin, ato të cilat do të varrosen për të liruar hapësira në frigoriferë në mënyrë që të krijohet hapësirë për prurjet e reja nga punët që priten të fillojnë së shpejti në terren.
Ai ka theksuar se janë përkujdesur që varrimi i tyre të bëhet me kujdes të veçantë, në mënyrë që nëse del diçka e re pas analizave të ADN-së, këto mbetje të mund të zhvarrosen dhe t’iu jepen familjarëve. “Ne do të jemi të kujdesshëm se cilat raste do t’i dërgojmë në varrezën e përbashkët. Ato do të varrosen me kode.
Bën edhe filteri i gabimeve, do të thotë do të jetë me pllakë metalike të lartë si dhe pjesën metalike si dhe pjesën të cilën e kanë nëpër qeskat që ne i përdorim. Thjesht nëse lind diçka e re, pas analizave të ADN-së, dhe ndërlidhen me rastet që janë në interes të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ato do të zhvarrosen dhe do t’iu dorëzohen familjarëve”, sqaroi ai. Gërxhaliu tha se mbetjet mortore të luftës së fundit do t’i mbajnë sepse ato kanë mbetur çështje e hapur dhe se së shpejti do të del një strategji nga qeveria lidhur me qasjen ndaj tyre.
E udhëheqësi i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, thekson se problem në vete për mosidentifikimin e deritashëm të këtyre mbetjeve ka qenë mënyra e punës e Tribunalit të Hagës fillimisht, mosinteresimi i familjarëve të të vdekurve, si dhe fakti se janë mbi 100 familje të cilat ende nuk kanë dhënë gjak, e për të cilat sipas tij duhet të shikohet mënyra se si të gjendet qasja ndaj tyre në mënyrë që të mund të pastrohet çështja.
“Deri më 2002 ka punuar Tribunali i Hagës, të cilët kanë punuar me metoda klasike, pa ato të ADN-së. Pastaj e kemi fazën e UNMIK-ut dhe së fundmi edhe EULEX, i cili faktikisht ekspertët e huaj kanë bërë një pastrim relativisht të mirë të mbetjeve të cilat kanë qenë mos të them gati 500 mbetje mortore dhe të cilat janë dërguar për analiza të ADN-së. Por analizat të cilat i kemi tani nuk përputhen me dhënësit e gjakut nga familjarët, që janë së paku 3 anëtarë. Ne i kemi diku rreth 2 mijë e 900 familje të cilat kanë dhënë gjak. I kemi edhe mbi 100 familje të cilat nuk japin gjak, për të cilat duhet të shikohet të gjendet një rrugë e qasjes me ata familjarë në mënyrë që të mund ta pastrojmë çështjen”, tha Gërxhaliu.
Të enjten është bërë e ditur edhe lokacioni ku do të varrosen mbetjet mortore të personave që kanë vdekur e s’i merr askush. Kjo është bërë me kërkesë të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur për ta liruar hapësirën e morgut pasi nuk ka edhe shumë vend.
Arsyen e këtij veprimi që ka ndërmarr Komisioni e ka shpjeguar Jahja Lluka që është edhe bartës i dosjes për persona të zhdukur në Qeverinë e Kosovës. Lluka ka thënë të enjten se familjarët e personave të vdekur ngurrojnë t’i marrin t’i varrosin për sic tha ai “veprimtarisë së dyshimtë të familjarëve të tyre”.
“Pasi morgu i Prishtinës është i mbingarkuar me mbetje mortore, ne së bashku me Institutin e Mjekësisë Ligjore kemi ardhur deri te një përfundim që është mirë që të gjithë ata njerëz ta kenë një varr. Aty në morgun e Prishtinës ka njerëz të cilët kanë prejardhje të ndryshme nga shumë shtete, por edhe nga shumë qytete të Kosovës…kemi raste kur familjarët nuk duan t’i marrin mbetjet mortore të familjarëve të vet për arsye se kanë qenë bashkëpunëtorë të okupatorit, kemi raste edhe të disa personave që janë shtetas të huaj dhe askush nuk interesohet për ta”, ka thënë tha Lluka.
Edhe Lluka ka theksuar se hapësira e ndarë do të jetë për ata që nuk janë të zhdukur dhe nuk kanë qenë pjesë e luftës dhe në rast se paraqitet ndonjë familjarë do të u jepet mundësia që t’i marrin të afërmit ë tyre, shkruan tg. Në Kosovë aktualisht janë 1652 persona që figurojnë të zhdukur në luftën e vitit 1999 dhe i përkasin të gjitha përkatësive etnike. (Kosova press)