Një shpërthim ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm pranë një biznesi në Tiranë.
Bëhet fjalë për një fast-food që ndodhet pranë ambasadave ruse dhe zvicerane, në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet.
Sipas kalimtarëve shpërthimi ishte shumë i fuqishëm.
Nga informacionet paraprake raportohet se bëhet fjalë për shpërthimin e një bombule gazi në brendësi të dyqanit që ka sjellë plagosjen e një personi dhe ka shkaktuar mjaft dëme materiale.
Nga shpërthimi i fortë ka mbetur i plagosur pronari i dyqanit, i cili ka marrë plagë të shumta në trup dhe ndodhet në pavionin e djegieve plastike në spital.
Shpërthimi ka ndodhur kur pronari i fast food ka hapur dyqanin në mëngjes.
Dyqani ishte mbushur me gaz dhe në momentin kur ai ka hyrë brenda ka ndodhur shpërthimi, duke e lënë të plagosur.
Njoftimi i policisë
Me date 08.04.2018 rreth orës 07:00, në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Ibrahim Rugova”, në një pike shitje ra zjarr.
Menjëhere në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe Zjarrëfikësja, te cilat kanë konstatuar se në një byrektore kishte rënë zjarr.
Shkak paraprakisht dyshohet rrjedhja e gazit.
Për pasojë është dëmtuar pronari i subjektit shtetasi Sh.P., 50 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave./a.ç