Qeveria pret që më 17 prill Komisioni Europian të propozojë çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE. Nga Shkodra ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, tha se pret që KE të konfirmojë reformat e bëra nga qeveria në Shqipëri, ndërsa shpreson që opozita të rikthehet në rrugën e arsyes.
“Kemi një ndryshim qëndrimi me opozitën por nuk është hera e parë. Shpresoj t’i rikthehen rrugës së arsyes. 17 prilli është një moment i rëndësishëm jo për qeverinë Edi Rama, jo për opozitën, por është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë. Ne mendojmë se Komisioni Europian të propozojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE çka do të ishte një sukses për Shqipërinë dhe shqiptarët”, shprehet ministri Bushati.
I pyetur nëse Shqipëria rrezikon që të marrë një përgjigje negative me 17 prill nga Komisioni Europian, ministri Bushati shkon edhe më tej duke thënë se përveç çeljes së negociatave pret që të nisë puna sfiduese për anëtarësimin e plotë në BE.
“Ne presim që Komisioni Europian në 17 prill të konfirmojë pikërisht reformat që janë bërë në Shqipëri dhe të propozojë nisjen e bisedimeve dhe më pas do të jetë një punë tjetër voluminoze me vendet anëtare të BE, siç dihet nevojitet konsensus i plotë në mënyrë që të nisë procesi i vështirë, sfidues për anëtarësim që nuk do të jetë aspak një proces i lehtë. Është shumë e vështirë të ecet me ‘nëse’ sepse ne po punojmë për këto që thashë”, theksoi ai.
Deklaratat, ministri Bushati i bëri pas një mbledhje në Partinë Socialiste të Shkodrës si koordinator politik i këtij qarku. Gjatë mbledhjes Bushati ishte kritik me disa prej drejtorëve sa i përket qasjes ndaj qytetarëve në shërbime, ashtu siç kërkoi që të nisë puna për fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 2019.
ma.me