Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur pro vendosjes së taksës në Rrugën e Kombit. Ai nuk ka dhënë mendimin e tij në lidhje me tarifën 5 euro, por tha se pa taksë është e pamundur të mirëmbahet rruga.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës tha se pavarësisht se kjo nuk është diskutuar në mbledhjet e dy qeverive, tha se vendosja e taksës për rrugën ndodh në gjithë botën.
“Kjo temë nuk është diskutuar në mbledhjet e kaluara mes qeverive. Jemi të interesuar që ta diskutojmë. Pa taksë është e pamundur, duhet me u vendos për tunelin, rrugën, kosto e ndërtimit. Ndodh në gjithë botën.
Ndoshta tek kalkulimi dhe komunikimi është pak problem. Ne në të kaluarën kemi qenë shumë solidarë, kemi dhënë për çështje të ndryshme. Është dashtë me ju thënë kosovarëve që nga paraja juaj që jepni për këtë taksë për atë taksë do të përmbyllet ajo rrugë, janë pjesë të tëra që kanë mbet pa përfunduar.
Njëkohësisht e zgjatin kohen. Është mirë një komunikim më i mirë”, ka deklaruar Haradinaj. Në një intervistë për Vizion Plus, Haradinaj tha se qeveria e Kosovës nuk ka në plan për vendosjen e një takse të tillë, ndërsa ka dënuar skenat e dhunës në Kalimash. (b.an)