Kodi i ri i Etikës, deputetët duhet të spiunojnë njëri-tjetrin për ngacmimet seksuale
Politika shtrëngon rregullat e sjelljes parlamentare, duke ndaluar ngacmimin seksual mes deputetëve dhe përdorimin e drogërave apo alkoolit.
Ndonese ‘Rruga e Kombit’ dhe protestat për tarifën kanë ashpërsuar gjuhën mes mazhorancës dhe opozitës, por paralelisht në Kuvend është arritur dakordësia për Kodin e Sjelljes së Deputetëve. Report TV siguron draftin e dakordësuar të politikës, i cili ka të dhëna interesante mbi normat e reja të cilave deputetët duhet tu nënshtrohen.
Elementi i parë që bie në sy, ka të bëjë me veshjen e deputetëve. Ata duhet të përdorin veshje modeste që s’tërheq vëmendjen e publikut, siç thuhet në Kod. Për herë të parë, një deputeti i ndalohet të përdorë alkool e drogëra.
Drafti për Kodin e Ri të Etikës
“Deputetit i ndalohet të paraqitet në gjendje të mungesës ose të uljes së ndjeshme të ekuilibrit fizik dhe/ mendor për shkak të konsumimit të alkoolit ose të substancave narkotike”,-thuhet në dokument.
Po ashtu deputetëve ju ndalohet të përdorin celularin në punimet parlamentare. Pikant është edhe neni 10 i këtij Kodi Sjelljeje, kushtuar ngacmimit seksual në punimet parlament.
“Deputetit i ndalohet çdo sjellje me natyrë seksuale që prek dinjitetin e cilitdo dhe që konsiderohet e padëshiruar, e papranueshme, e papërshtatshme dhe ofenduese për personin tjetër”, përfshirë këtu edhe çdo lloj komunikimi virtual. Por jo vetëm kaq, deputetët duhet të spiunojnë kolegët e tjerë nëse shohin raste të ngacmimeve seksuale.
“Çdo deputet reagon menjëherë, raporton, kërkon evidentimin dhe hetimin e rastit, kur merr dijeni të ndonjë pretendimi për ngacmim seksual”,-thuhet në dokument.
Deputetëve ju ndalohet të pranojnë dhurata mbi 10 mijë lekë të reja, dhe nëse marrin të tilla duhet t’i refuzojnë apo t’i dorëzojnë në Kuvend objektet me vlerë. Pritet për tu parë nëse të enjten opozita do të ketë një marrëdhënie normale me parlamentin dhe do ta miratojë më në fund Kodin, apo situata e nxehtë momentale do ta zhvendosë miratimin e tij.
ma.me