Në rihapjen e tregjeve të këmbimit valutor pas festës së pashkëve, valutat ndërkombëtare u janë rikthyer humbjeve kundrejt monedhës vendase.
Leku vazhdon të forcohet dhe të fitojë terren, duke mbajtur euron dhe dollarin në minimume rekord.
Euro këmbëhet ditën e sotme për 130 lekë, duke rënë me 0.4 pikë krahasuar me nivelin e ditës së premte. Pavarësisht një rritjeje të lehtë në tregun ndërkombëtar, faktorët e kërkesës dhe ofertës në tregun e brendshëm ka bërë që kjo valutë t’i rikthehet rënies.
Në rënie me 0.4 pikë është regjistruar edhe kursi i sotëm i dollarit amerikan. Tashmë një dollar këmbehet për 105.8 lekë dhe vijon të reflektojë sjelljen e tregjeve ndërkombëtare, ku valuta amerikane vijon të mbetet e dobët. Megjithatë gjatë javëve të ardhshme priten ndryshime, pasi në qendër të vëmendjes së investitorëve do të jetë me shumë gjasa lufta tregtare SHBA-Kinë.
Megjithëse ka humbur gjysmë pike krahasuar me ditën e premte, paundi britanik është valuta që i ka mbetur më besnike vlerës së saj normale. Ditën e martë, ajo këmbehet për 148.5 lekë, por pritet që kjo vlerë të ngrihet së shpejti, në dukje të ecurisë pozitive të ekonomisë britanike para largimit nga BE, shkruan “scan”.
Sa i takon valutave të tjera që shiten në tregun vendas, dollari australian ka regjistruar luhatjen më të vogël të ditës, duke rënë me vetëm 0.2 pikë nga vlera e ditës së premte. Dollari kanadez është dobësuar ndaj lekut me 0.5 pikë, ndërsa franga zvicerane ka rënë me 0.4 pikë për të kapur kursin e 110.3 lekëve./a.m.