Nga Alfred Peza
Çfarë ka ndodhur?
Gjashtë shtetas turq, pesë nga të cilët punonjës të Institucionit Arsimor “Gylistan” pronë e Gulen dhe një mjek, u deportuan të enjten e kësaj jave nga Kosova, në një operacion ende të pasqaruar të kryer nga shërbimet e zbulimit të të dyja vendeve. Të nesërmen Haradinaj, shkarkoi ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi. Të shtunën mblodhi Këshillin e Sigurisë pas të cilit tha se ka kërkuar hetim dhe raportim nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për këtë rast, duke shtuar se nuk ka qenë i informuar për veprimet e tyre.
Erdogan falënderoi të dielën Presidentin e Kosovës Thaçi dhe sulmoi sërish kryeministrin Haradinaj për qëndrimin e ndaj operacionit të deportimit të 6 shtetasve turq. Duke folur në kongresin e partisë së tij në Hatay në juglindje të Turqisë, ai tha se “e falënderoj Presidentin e Kosovës. Por kryeministrit i them ‘turp’. Sepse largimi nga detyra i kreut të zbulimit dhe ministrit të Brendshëm, të cilët na i dorëzuan anëtarët e organizatës terroriste FETO, është një gabim historik. Ato e bënë detyrën e tyre”.
Një ditë përpara kësaj, të shtunën, Erdogan tha në një takim të Partisë Zhvillim e Drejtësi në Stamboll se ishte “i mërzitur”: “Unë tani pyes kryeministrin e Kosovës: Me udhëzim të kujt more një hap të tillë? Prej kur fillove t’i mbrosh ata që u përpoqën t’i bëjnë grusht shteti Republikës së Turqisë?” Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, nuk ka reaguar as herën e parë e as herën e dytë ndaj sulmit të Erdogan. Presidenti Thaçi, ka deklaruar se është njoftuar pas operacionit dhe kërkoi që të priten hetimet para se të bëhen vlerësimet për të.
BE rri e vështron!
Mediat e ndryshme ndërkombëtare po e shohin këtë lëvizje më me shqetësim. Ndërsa mediat shqiptare, çuditërisht, vazhdojnë ti kushtojnë më shumë rëndësi “cic- mice”-eve të ditës dhe lojërave të liderëve politikë, sesa zhvillimeve kaq thelbësore për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës dhe faktorit shqiptar në Ballkan.
Sipas televizionit publik zviceran SFR “në Ballkan po ndodhin lëvizje të mëdha gjeapolitike, ndërmjet dy fuqive me ndikim; Turqisë së Erdogan dhe Rusisë së Putin.” Sipas analistit Georg Hasler, “loja po bëhet tejet e rrezikshme, kur kihet parasysh se BE është fare e pafuqishme karshi këtyre ndikimeve”.
Kritikat e liderëve të 6 vendeve të Ballkanit Perendimor kundër Brukselit zyrtar, se po vonon shumë më tepër se duhet hedhjen e hapave për procesin e anëtarësimeve të reja, janë marë më shumë si një formë e rafinuar presioni për të marë dhurata të pamerituara, sesa një realitet që po lëviz më shpejt sesa burokracia olimpike e BE.
Republikë apo Vilajet?
Kur e dëgjon këtë përplasje mes Presidentit të një republike si ajo e Turqisë me Kryeministrin e një shteti që më 17 shkurt të këtij viti festoi 10 vjetorin e pavarësisë, për një moment “të prishet filmi” dhe si pa dashje mund ta kapësh veten duke menduar me zë të lartë: A jetojmë në realitetin e vitit 2018, apo në atë të 150 viteve më parë?
A po jetojmë në shekullin e XXI, apo në vitin e 68 të shekullit XIX? Atëherë kur u bë ndarja e re administrative e Perandorisë Osmane dhe u krijua ai që fillimisht u njoh si Vilajeti i Prizrenit, e që më pas në vitin 1877, mori emrin Vilajeti i Kosovës.
A po flasim për një Republikë të themeluar nga perëndimi pas luftës së NATO-s mbi ish Jugosllavinë e mbetur të Sllobodan Millosheviçit, e që ka për President ish luftëtarët e UÇK Hashim Thaçi e për Kryeministër Ramush Haradinajn? Apo jemi në një Vilajet që kishte për Veli të parë, Halil Rifat Pashën.
A jemi në Republikën e re që kufizohet me republikat e Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi? Apo jemi në Vilajetin e vjetër që kufizohej në lindje me Bullgarinë, në perëndim me Vilajetin e Shkodrës, Malin e Zi dhe Bosnjën e Hercegovinën, në veri me Serbinë dhe në jug me Vilajetin e Manastirit dhe atë të Selanikut?
Sa më shpejt që të na e sqarojnë këtë vetë liderët legjitimë të Republikës së Kosovës, aq më mirë do të jetë për ta, për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët në Ballkan. E mbi të gjitha, aq më mirë do të jetë kjo, edhe për Turqinë e Erdoganit vetë./Alpenews.al