Autori i një sërë grabitjesh në qytetin e Sarandës është vënë në pranga ditën e sotme, ndërsa është shpallur në kërkim një shtetas tjetër. 19-vjeçari Shahin Abazi, banues në Sarandë, ishte kthyer në tmerrin e banorëve dhe bizneseve të zonës pasi dyshohet si autor i një sërë grabitjesh.
Abazi ishte person i shpallur në kërkim për grabitjen me armë të dy karburanteve në Sarandë dhe për një sërë vjedhjesh nëpër markete e dyqane, por edhe për vjedhje motorësh. I riu po tentonte të largohej nga Saranda, me autobus drejt Tiranës, në momentin e arrestimit. Pas informacionit të marrë, Policia
e Sarandës është vënë në ndjekje të autobusit dhe e ka arritur atë në aksin nacional Sarandë-Gjirokastër.
Sakaq, është shpallur në kërkim shtetasi I.K, 25 vjeç, banues në Sarandë.
RASTET E VJEDHJEVE ME DHUNE TE KRYERA NGA ABAZI
Policia ka dokumentuar një seri vjedhjesh të kryera prej këtyre shtetasve në qytetin e Sarandës, dhe konkretisht:
Më datë 15.10.2017, në lagjen “Nr.4.”, kanë vjedhur kioskën e shtetasit K.T..
Më datë 15.12.2017, në lagjen “Nr.4.”, kanë vjedhur motorin e mjetit lundrues të shtetasit M.Ç..
Më datë 22.12.2017, në lagjen “Nr.3.”, kanë vjedhur marketin e shtetsit S.H..
Më datë 28.12.2017, në lagjen “Nr.1.”, kanë vjedhur me dhunë dy pika karburanti.
Më datë 12.01.2018, në lagjen “Nr.3.”, kanë vjedhur marketin e shtetasit A.S..
Më datë 29.12.2017, dyshohen se kanë vjedhur motoçikletën e shtetasit K.C..
Më datë 20.02.2018, dyshohen se kanë vjedhur motoçikletën e shtetasit E.C..
Më datë 06.01.2018, dyshohen se kanë kryer vjedhjen me armë të ngelur në tentative të shtetasit J.C..
Policia e Sarandës do të vijojë punën për zbardhjen e dokumentimin e të tjera vjedhjeve si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore shtetasit që kryejnë veprimtari kriminale.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Vjedhja”, “Vjedhja me dhunë” dhe “Vjedhja me armë”, të kryera në bashkëpunim, dhe të parashikura nga nenet 134/2, 139, 140 e 25, të Kodit Penal.