Historiani i njohur, Prof. Pëllumb Xhufi, iu përgjigjet akuzave që i janë bërë ditët e fundit se gjoja po mbron diktaturën komuniste dhe burgjet e saj. Pse ai ka kundërshtuar idenë e kthimit të burgut të Tepelenës si model të burgjeve të shfarosjes në masë në Shqipëri. Ku gabojnë kritikuesit e tij dhe a kemi nevojë për një ligj të dekomunistizimit…
– Zoti Xhufi ditët e fundit kemi parë disa reagime ndaj një deklarate tuaj ku thoni se keni lexuar raporte të CIA-s që i vlerësonin kushtet në kampin e Tepelenës si “jo të këqija”. Si qëndron e vërteta dhe çfarë është ky raport që ju përmendni?
-Shikoni, unë bëra një sqarim gjatë një emisioni televiziv, ku tema kryesore ishte e vërteta dhe mistifikimi i historisë dhe ku moderatori e preku problemin e kampit të Tepelenës, si një nga çështjet më të rrahura në shtypin e këtyre kohëve të fundit. Jo thjesht mbi bazën e dokumenteve të CIA-s, por edhe të shumë dokumenteve të tjera, përfshirë atyre të UDB-së jugosllave si dhe të një literature jo të vogël që më ka rënë rasti të lexoj, unë u përpoqa të tregoj disa të vërteta për kapin e izolimit të Tepelenës.
Nuk më shtynë rrëfimet e ndonjë prej personave që kanë vuajtur në atë kamp, sa entuziazmi pranveror me të cilin ndonjë institucion, si Ministria e Kulturës apo Bashkia e Tepelenës, kanë përqafuar projektin për kthimin në një qendër muzeale të këtij kampi, të cilin ideatorët e projektit janë duke e propaganduar si “Aushvici shqiptar” dhe si “një kamp i shfarosjes në masë”.
U përpoqa t’u them pikërisht ideatorëve të interesuar të projektit dhe pushtetarëve të paditur që kanë marrë përsipër ta financojnë atë, se nuk është kampi i Tepelenës që përfaqëson egërsinë e represionit komunist. U mundova t’i këshilloj të heqin dorë nga marrëzia për ta propaganduar këtë kamp të shfarosjes në masë, sepse Auschwitz, Mathausen, Dachau apo Birkinau ku janë asgjësuar e djegur në furrat naziste miliona hebrej e antifashistë nga e gjithë bota, nuk e kanë shokun në asnjë vend të botës, e nuk e kanë as në Shqipëri.
Unë e kuptoj që ideatorët e projektit nuk i ha shumë meraku për vërtetësinë historike dhe se një krahasim i tillë bëhet me qëllimin e kuptueshëm për të siguruar financimin e projektit nga donatorë të huaj. Por, për një çast edhe ata duhet ta mbledhin veten e duhet ta kuptojnë, se duke vepruar kështu i bëjnë dhunë të vërtetës historike duke hedhur baltë mbi popullin e tyre, duke fyer gjithashtu popuj të tjerë, që e kanë pësuar më së shumti mbi lëkurë “leksionin nazist të Auschëitz-it”.
-Çfarë përfaqëson, sipas jush, kampi i Tepelenës?
– Atëherë, në vitin 1949, regjimi i Tiranës përshtati si kamp izolimi kazermat e dikurshme të ushtrisë italiane buzë lumit Bënça, në Tepelenë. Kazermat, siç e thonë dokumentet amerikane, por siç i kam njohur edhe unë në fund të viteve 1970, ishin dy apo më shumë ndërtesa të gjata simetrike, ndërtuar me material të fortë (tulla) e të suvatuara. Në këto kazerma u sollën një numër i madh familjesh të të arratisurve politikë në vitet gjatë e pas Luftës II Botërore.
Ishte koha, kur regjimi i Titos, në bashkëpunim me shërbimet e disa vendeve të perëndimit, i organizoi dhe i armatosi të arratisurit shqiptarë, duke i dërguar nga territori jugosllav për të kryer aksione të armatosura në Shqipëri. Në vitet 1948-1953 janë vrarë nga këto banda më shumë se dy mijë ushtarë e oficerë, funksionarë partie, nëpunës, mësues e deri edhe gra e vajza që ishin përfshirë në jetën aktive për rindërtimin e vendit. Gjatë luftës, një pjesë e mirë e anëtarëve të këtyre bandave kishin qenë anëtarë të formacioneve fashiste e naziste.
Për vite me radhë, në Itali e gjetkë ata ishin mbajtur në kampe përqendrimi nga aleatët. Me shpërthimin e luftës së ftohtë u ricikluan e u përdorën për të përmbysur regjimin komunist të Tiranës, që konsiderohej hallka më e dobët e sistemit komunist, sidomos pas prishjes me Jugosllavinë e Titos. Pikërisht, territori jugosllav u bë baza operacionale nga niseshin shumë nga këto banda. Greqia gjithashtu përbënte një bazë tjetër.
Në kushtet kur kryesisht në veri të vendit pati një përqendrim të madh bandash, regjimi i Tiranës vendosi të izolojë në kampin e Tepelenës familjet që i përkisnin, apo që dyshoheshin se i përkisnin anëtarëve të këtyre bandave dhe që mund të ktheheshin në baza mbështetëse për bandat në fjalë. Me dështimin e operacionit të fshehtë të koduar “Roll back”, Perëndimi hoqi dorë nga përpjekja për destabilizimin e regjimit të Tiranës me aksione të armatosura, kampi i Tepelenës pushoi së funksionuari dhe familjet e izoluara aty u shpërndanë ose u dërguan në kampe e vende të tjera internimi.
-Ka shumë njerëz që kanë vuajtur në atë kohë në këto kampe dhe përmendja e tyre ngjallë ndjeshmëri negative ndërsa juve iu akuzojnë se kërkoni të zbusni egërsinë e diktaturës. A ka një tentativë për të relativizuar krimet e asaj kohe?
– Përkundrazi, unë jam një person fort mirë i ndërgjegjshëm për krimet e kryera në vitet 1944-1990 nga regjimi komunist. Dhe për to kam folur, madje edhe në prononcimin tim të shkurtër të para pak ditëve. Ndaj, ndërsa i kuptoj një numër të madh qytetarësh me ndjeshmëri të kuptueshme, më neverisin një sërë reagimesh të egra e të paarsyeshme të disa personave publikë, të cilët riciklojnë, seleksionojnë e amplifikojnë mes tyre fraza të shkëputura nga prononcimi im.
Madje, më japin mua “të drejtën e autorit” për vlerësimet e bëra për çështjen në fjalë nga dokumentet e hollësishme të CIA apo shërbimet e tjera të huaja. Mbi bazë të këtyre të fundit, por edhe të njohjes personale, unë them se nuk është as Tepelena (siç mendon ndonjë ithtar post-fashist i ndarjes Veri-Jug) dhe as kampi i Tepelenës vendi i duhur ku duhej ngritur një memorial për viktimat e persekutimit komunist.
Unë mendoj se do t’i bënte shumë mirë ndërgjegjes e ndërgjegjësimit të qytetarëve, e sidomos brezave të rinj, që të restauroheshin e të bëheshin të vizitueshëm burgjet e errët të Burrelit e të Spaçit, simbolet e vërteta dhe ekstreme të persekutimit komunist, ku janë mbyllur për dekada, janë torturuar e kanë vdekur me qindra vetë, të burgosur nga diktatura jo thjesht e vetëm për shkak të origjinës, por për shkak të bindjeve të tyre.
Shumë prej tyre kanë qenë edhe luftëtarë antifashistë të orëve të para. Kritikuesit e mi të pamëshirshëm duhet ta dinë, se për të qenë antikomunist nuk është e thënë të jesh fashist. Përkundrazi. Po ashtu, për të qenë nacionalist nuk është e thënë të bashkohesh me qenin e me të birin: me fashistët italianë, me nazistët gjermanë, me korofillakët grekë apo me titistët jugosllavë.
Po, po, me titistët jugosllavë. Sepse ata që në vitin 1939 iu bashkuan Duçes e në 1943 Hitlerit, siç thonin, “në emër të antikomunizmit” e ndërkohë stigmatizonin luftëtarët antifashistë si “klyshë të Titos”, në 1948, vitin e ndarjes shqiptaro-jugosllave vrapuan t’i bëjnë hosanara regjimit të Beogradit.
Madje shkuan deri aty, sa me letra të pështira, t’i luteshin Titos të rrëzonte armikun e tyre tashmë të përbashkët, regjimin e Hoxhës, e pastaj të vendoste ata në pushtet, pasi me një qeveri “nacionalistësh” të tillë, marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave do shkonin si në vaj. Kush dyshon për çka po them, le të lexojë “Dosja e UDB mbi emigracionin politik shqiptar, 1948-1953”, botuar në Prishtinë në vitin 2004. Do mësojë gjera shumë më të rënda nga këto që po them.
-A mund të krahasohet kampi i Tepelenës me kampet e përqendrimit të Nazistëve?
– Kampi i Tepelenës nuk ishte aspak një kamp pushimi, siç duan të thonë se qenkam shprehur unë. Nuk ka qenë as kamp pune, siç kanë qenë plot të tillë. Ka qenë një kamp izolimi apo internimi, ku u mbajtën për një periudhë të caktuar, 1949-1953, familje të personave të angazhuar në veprimtaritë e armatosura anti-regjim të sponsorizuara nga Jugosllavia e të mbështetura nga shërbimet e perëndimit.
Përtej tregimeve të personave që kanë vuajtur në atë qendër internimi, apo përtej ekzagjerimeve banale, ku janë përfshirë edhe ideatorët e projektit të memorialit të Tepelenës, kampi i Tepelenës ishte një pasqyrë e dhunës dhe e mjerimit të një Shqipërie të përfshirë në një konflikt politik me aleatin e deridjeshëm, Jugosllavinë e Titos, dhe në konflikte të armatosura me bandat e desantuara nga jashtë dhe me Greqinë, që pikërisht në atë kohë bëri një test serioz për aneksimin me luftë të viseve tona jugore.
Në një kontest të përgjithshëm varfërie, sigurisht kushtet në kampin e Tepelenës ishin të rënda. Ushqimi ishte i pamjaftueshëm, kushtet e higjienës ishin mizerabël, kishte vdekshmëri, sidomos midis fëmijëve. Këtë e thotë edhe dokumenti i CIA-s që unë citoj. Por ky thotë gjithashtu, që ndaj të burgosurve nuk ushtrohej dhunë fizike dhe dënimi më i rëndë, që u jepej vetëm të internuarve me kombësi të huaj, ishte heqja e vaftit ushqimor. Ata që kishin të holla mund të shkonin në qytet për të blerë ushqime.
Veshja e të ndaluarve ishte e mjerë, dhe pohimin e dokumentit të CIA-s e konfirmoi edhe një raport i Drejtorisë së Kampeve i vitit 1951, i botuar dje nga z. Kastriot Dervishi, ku kritikohej komanda e kampit të Tepelenës që i kishte lënë të internuarit me veshje copë-copë. Kampi ruhej gjatë natës me 5 policë e gjatë ditës vetëm nga një polic. Ata që ishin në gjendje, dërgoheshin të punonin në shpatet e kodrave përreth, kryesisht në bërjen e lëndës drusore.
Sipas vlerësimit të CIA-s, nuk kishte tentativa për indoktrinim politik të banorëve të kampit, edhe pse çdo mëngjes atyre u lexohej gazeta. E pra, në këto kushte, ta paraqesësh kampin e Tepelenës si një shëmbëlltyrë të Auschëitz-it, është më së paku një tepri. Një tepri me kosto financiare, morale e politike.
-Zoti Xhufi ju jeni historian dhe keni një gjykim tuajin edhe për periudhën 1945-1991. Mendoni se mos dënimi i krimeve të asaj periudhe është një nga plagët e shoqërisë shqiptare?
– Si në çdo fushë tjetër, përfshirë edhe atë të ndërtimit të demokracisë, edhe për problemin e ballafaqimit tonë me të kaluarën komuniste u ndoqën rrugë të tërthorta, e nuk u morr shembulli i vendeve me problematikë të ngjashme.
U përdor një gjuhë e rëndë e bombastike, u organizuan gjyqe “demonstrative”, që përfunduan në farsë, por nuk u vendosën baza të shëndosha ligjore për të nxjerrë përgjegjësitë personale. U veprua sikurse sot, kur raste të rënda korrupsioni e krimi shtetëror kalojnë “pa lagur” me formulën magjike: “ishte vendim kolektiv”.
-A ka nevojë vendi për një ligj për de-komunistizimin si dhe hetimin dhe përndjekjen e krimeve, një proces që Shqipëria nuk e ka kryer?
-Shqipëria ka vërtet nevojë për një ligj dekomunistizimi. Por sigurisht, një ligj të tillë nuk mund e nuk duhet ta promovojnë mendjet e nxehta e irracionale të atyre që në kokë kanë ende ide fashiste. Dhe për fat të keq, persona të tillë janë përfshirë edhe në projektin kuturru të kampit të Tepelenës./Dita