Goran Shariç është një historian kroat nga Rijeka, por që ka pikëpamje të afërta me kolegët serbë dhe ata grekë për historinë e civilizimeve në Ballkan.
Shariç, ka shkruar sot në Facebook se shqiptarët e kanë dënuar me vdekje pasi ai ka thënë se në Dalmaci nuk ka pasur ilirë dhe fjala dalmat nuk ka lidhje me delen, siç kanë thënë historianët gjermanë dhe austriakë, që tashmë është pjesë e tezave botërore.
Statusin e Shariçit e ka bërë lajm balline Sputnik-u rus, i cili nuk të fal minutin kur është puna për shqiptarët.
“Shqiptarët më kanë kërcënuar me vdekje sepse unë kam vërtetuar shkencërisht se ata nuk janë ilirë.
Ata po më kërkojnë të mos e bëj publike pikëpamjen time, ndryshe do të më vrasin.
Më duhet të veproj kundër ndërgjegjes sime për të mos marrë një plumb.
Por nëse nuk flisja se çfarë besoj, nuk mund të jetoj as edhe një minutë.
Vdekja është më e mirë se turpi. Vdekja erdhi dhe kaloi. Turpi mbetet”,shkruan Shariç në faqen e tij në facebook.
Por është e “çuditshme” që në këtë status, ku ka mbi 100 komente të serbëve dhe maqedonasve që flasin fjalët më të tmerrshme për shqiptarët, nuk ka jo asnjë kërcënim, por edhe asnjë koment nga një shqiptar i vetëm.
Nga ana tjetër, Sputnik e ka bërë histori në vete historianin kroat, duke vendosur një fotot edhe ca shqiptarë kosove me plisa në kokë, me mjekër dhe flamur kuq e zi.
Konotacioni është i qartë, por lajmi duket kokë e këmbë se është fake news, sepse Goran Shariçin duket që jo vetëm që nuk e ka kërcënuar kush, por duhet thënë se nuk ja ka varur kush nga qarqet serioze akademike, ndaj ai është futur lumpenit për të elaboruar përfundimet e tij “shkencore”.
Ai mban tribuna shkencore në publik të madh si salla kinemaje apo teatrosh ku paraqet tezën se pasardhësit e ilirëve janë… e gjeni dot? Sllavët!
Që sipas tij kanë qenë den babaden këtu dhe nuk kanë ardhur nga stepat ruse në shekullin e IX siç thotë e gjithë historia botërore.
Por e forta është se Shariç takimet nuk i mban në universitete, por kryesisht në klubet shoviniste serbe në Mal të Zi dhe Serbi. Me një fjalë, auditori i tij nuk janë studentë por pasues të çetnikëve të Arkanit dhe Vojisllav Sheshelit. /tesheshi/a.m.