Anila Trimi është emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA). Ajo zëvendëson në këtë detyrë Eduard Merkajn, i cili u emërua më herët në detyrën e Drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit.
Që prej Tetorit të vitit 2017, Trimi ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme. Më herët, ajo ka drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Antitrafikut dhe Azilit në MB dhe ka punuar në Policinë e Shtetit në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar. Trimi është diplomuar në Akademinë e Policisë, si dhe për Drejtësi.
Në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme është emëruar Dritan Palnikaj, i cili ishte pjesë e kabinetit të Kryeministrit, e më herët ka qenë Këshilltar i Ministrit të Brendshëm. Në njoftimin për mediat nga Ministria e Brendshme, thuhet se emërimi është bërë ditën e sotme nga ministri Fatmir Xhafaj.
Deri tani, i komanduar në postin e SHÇBA-së ka qenë Agim Hysi, një ish-gjyqtar i shkarkuar nga KLD pasi ishte kapur në shkelje. Ditën e djeshme pati replika të forta mes PD-së dhe Ministrisë së Brendshme për të shkuarën e Hysit.
ma.me