Four Points e Sheraton dhe Courtyard e Marriot do të jenë hotelet me famë botërore me të cilat do të identifikohet Kosova. Kështu u tha sonte në nënshkrimin e marrëveshjes mes Marigona Toëer dhe Marriott Internacional, për ndërtimin e dy hoteleve, i cili do të jetë një investim prej 16 milionë euro.
Drejtori ekzekutiv i Marigona Tower, Valton Bilalli tha se dhjetë vjet pas nisjes së projektit Marigona Rezidencë, ky projekt po finalizohet me ndërtimin e hoteleve me famë botërore, të cilat do të jenë të hotelet e para në Kosovë të brenduara.“Kosova do të identifikohet me këto dy hotele, por ne shpresojmë se do të jenë shenjat më të vogla në vendin tonë.
Besojmë që të gjithë të na bashkëngjiten në kësi lloj investime dhe dëshirojmë që të gjithë së bashku t’i gëzojmë të mirat që i kemi”, tha Bilalli.Të pranishëm ishin edhe krerë të institucioneve në Kosovë, e përfaqësues diplomatik të akredituar në Kosovë.Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se kjo është një arritur e Kosovës dhe se sot i është bërë një shërbim Kosovës.
I pari i Qeverisë së Kosovës i ka siguruar të dyja brendet se janë në adresën e duhur dhe se ky projekt do të jetë shumë i suksesshëm.
“Sot nuk po shënojmë vetëm një investim, sot po e shënojmë edhe një nisje të re për Kosovën për një besim që i është dhënë Kosovës, që i është dhënë sipërmarrësve të Kosovës nga Marriot Group që është e njohur.
Sot çka po ndodh në Kosovë, po ndodh një nisje e re, një investim i madh rreth 20 milion, po ndodhin vende të punës , por jo vetëm kaq, Kosova po bëhet më e pasur se ka në vete dy brende të njohura botërore që nënkupton një besim të këtyre brendeve në ecjen ekonomike të Kosovës.
Mund t’i siguroj këto dy brende, përfaqësuesit e tyre se janë në adresa të qëlluara, se ky projekt do të jetë shumë i suksesshëm ju siguroj, se në Kosovë kjo është vetëm fillimi për ju dhe ju siguroj se edhe të tjerët do të vijnë për të marrë informata te ju për suksesin e juaj. Andaj, kjo është Kosova që e meritojmë, kjo është Kosova që e meritojnë qytetarët e Kosovës”, tha Haradinaj, përgatiti Telegraf. (b.an)