Kryeministri Edi Rama ka firmosur këtë të mërkurë, dhënien zyrtarisht me koncension të “Rrugës së Arbrit”, përmes formulës Partneritet – Publik – Privat (PPP). Vendimi është zbardhur nga mbledhja e Këshillit të Ministrave ditën e sotme, dhe ashtu siç është njoftuar edhe në muajt e mëparshëm, kompania që do të ndërtojë këtë aks të rëndësishëm rrugor është “Gjoka Konstruksion”, e cila fitoi edhe konkurrimin.
Sipas propozimit, kompania ka marrë përsipër ta ndërtojë rrugën kryesisht me fondet e veta dhe më pas do të shlyhet nga buxheti për një periudhë disavjeçare. Në ofertë, kompania propozon ta ndërtojë rrugën me një kosto prej 33.6 miliardë lekë ose 265 milionë dollarë.
Në fakt, ky vendim vjen në një kohë kur në “Rrugën e Kombit” ka nisur të aplikohet taksa prej 5 euro për automjetet, një vendim ky që ka sjellë reagime të forta në publik. Por nga ana tjetër, edhe pse është ende herët, “Rruga e Arbrit” pritet që gjithashtu të shtohet në akset rrugore ku qytetarët do të duhet të paguajnë taksë për të kaluar.
Referuar vendimit të qeverisë në prill të vitit të kaluar, kompania ka kërkuar të aplikohet një tarifë mesatare 4 euro për makinë dhe propozon që të ardhurat të ndahen me qeverinë në nivelin 50 për qind.
“Duke aplikuar një tarifë mesatare prej 4 eurosh/ makinë të ardhurat nga pagesa e kalimit të rrugës do të jenë rreth 53 milionë euro për një periudhë 10vjeçare. Gjysmën e kësaj shume prej 26.5 milionë eurosh e përfiton kompania dhe kjo vlerë zbritet nga shuma totale e të ardhurave nga shteti. Çdo e ardhur mbi këtë vlerë i takon direkt buxhetit të shtetit. Vlera prej 246 milionë eurosh është vlera totale për pagesat e shtetit, plus pagesat nga tarifat e kalimit të makinave. Çdo e ardhur që i takon shoqërisë nga pagesat e kalimit të makinave, 50 për qind e shumës, zbritet nga pagesa që do të bëjë shteti, pra shteti paguan diferencën për të arritur te vlera 246 milionë euro”, shpjegohet në relacionin e vendimit
Fluksi mesatar i mjeteve në rrugë pritet të jetë 3.690 makina/ditë. Por qeveria vlerëson se nëse të ardhurat nga e rrugës nuk realizohen, risku do të merret nga kompania. Tashmë pritet që kompania të nisë zyrtarisht nga puna, dhe sipas ofertës, ndërtimi i rrugës do të zgjasë rreth 4 vjet.