Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka qenë sot në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku ka folur për debatin rreth Teatrit Kombëtar.
Ajo ka shkëmbyer disa replika të ashpra me kryetaren e këtij komisioni, Albana Vokshi.
Pas një sërë pyetjesh nëse do të shembet Teatri Kombëtar, Vokshi i ka kërkuar Kumbaros të japë dorëheqjen, duke e quajtur atë të paaftë. Kjo e fundit ka refuzuar të dorëhiqet, duke sqaruar se godina e Teatrit Kombëtar ka shfaqur shumë here probleme.
“Je e paditur, jep dorëheqjen”, i drejtohet Vokshi ministres Kumbaro.
“Nuk e jap dorëheqjen. Unë flas për dokumente zyrtare. Në emër të Teatrit Kombëtar janë shpenzuar 6 milionë dollarë, por projekti u ndërpre. Kryeministri shpreh vullnetin politik për një godinë të denjë teatri. Mënyra si do të ndërtohet do të jetë rezultat i procedurës ligjore. Do të ndërtojmë teatër të ri, sepse teatri për të cilin flasim është në kushte skandaloze. Turp të keni”, ia kthen ministrja.
Albana Vokshi: A do shembet teatri?
Mirela Kumbaro: Nuk diktoj mënyrën si bëni pyetjet. Ju nuk më diktoni përgjigjen.
Albana Vokshi: Përgjigjuni pyetjes?
Mirela Kumbaro: Zonja Vokshi më jepni rastin të flas.
Albana Vokshi: Këtu mbledhjen e drejtoj unë. Pyetjen e bëj unë: A do të shembet teatri?
Ismet Beqiri: Ti je rrezik të shkatërrosh dhe muret jo më nervat tona. Lerë zonjën ministre të përgjigjet. Boll të lutem!
Albana Vokshin: Ule zërin.
Ismet Beqiri: Kjo është diktaturë. Mjerë populli thotë po të vijë Albana në pushtet. Ke bërë 11 pyetje. Më hoqe trurin.
Albana Vokshi: E kuptoj që e keni me siklet, por lërjani kryeministrit sikletin.
Mirela Kumbaro: Nuk kam asnjë lloj sikleti. Ndryshimi i VKM nuk kishte synim për të nxjerrë asnjë objekt specifik qoftë të Teatrit Kombëtar. Ajo VKM kishte shumë pasaktësira….
Albana Vokshi: Nuk po i përgjigjeni ende 100 herë ju pyeta. E kuptoj dhe sikletin.
Mirela Kumbaro: Nuk kam asnjë lloj sikleti.
/a.m.