10 Eurot për autostradat peshuan më shumë si relevancë për mediat se sa rreshtimi i Shqipërisë kundër Rusisë. U linçuar Edi Rama brutalisht për këtë. Gati paralelisht u linçua edhe shteti i Kosovës pse dhe si arrestoi njërin nga provokatorët më nënçmues serb të shtetësisë së Kosovës. Ç’janë këto kampanja kunder vetes, nga ku dalin dhe pse janë?
Arbana Xharra
Pas Britanisë së Madhe edhe plotë shtete tjera dëbuan ata që njiheshin si spiunë rusë. Menjëherë pas vendimit amerikan për përjashtimin e agjentëve të njohur edhe Shqipëria, po në këtë vijë, bëri të njëjtin veprim. Ishte më shumë demonstrim se Shqipëria, njëjtë si Kosova janë prezente brenda agjendave të reja të Perëndimit sa i përket rikonfigurimit të sferave të dominimit – veçanërisht për në Evropën Juglindore.
Që nga bisedat e fundit në Bruksel, Vuçiç dhe Qeveria serbe shihet se janë të nervozuara më tepër se kurrë më parë. Gjë që e manifestojnë duke u përbetuar oreçast se nuk do hyjnë në NATO dhe duke i telefonuar Putinit (publikisht) për çdo gjë. Kjo do të thotë se jo vetëm letra ultimative e SHBA-ve, Britanisë, Francës e Gjermanisë drejtuar Serbisë, e cila kërkon nga ky vend që më në fund ta njohë realitetin e shtetit të Kosovës, ka “fundosur” aspiratat e Beogradit, por si duket më shumë serbët për çdo ditë e më shumë edhe vetë binden se nuk ndryshojnë gjë dot.
Këtë situatë nuk e kuptojnë as opozitat e as plotë media në Kosovë e Shqipëri. Këto vajtojnë riprishjen me rusët; reagojnë aq me “demonizim” të qëllimshëm ndaj veprimeve të Policisë së Kosovës, e cila në sajë të një urdhri ligjor arrestoi njërin nga njerëzit më provokues, nxitës dhe nënçmues të shtetit të Kosovës siç është Gjuriç. Nëse Kosova nuk ua dëshmon edhe serbeve se është shtet që menaxhohet me ligje ata kurrë nuk do të kenë as arsye pse të binden me realitetin e ri. Kanë edhe shumë më pak arsye të ikin nga hipnozat nacionaliste.
Fatkeqësisht, për shumë media e politikanë në Tiranë e Prishtinë, arrestimi ndodhi një ditë pas aferës së “taksës për rrugën e kombit” – me të cilin shkas u linçua Edi Rama dhe Shqipëria në formën më brutale sidomos nga publicistët e Prishtinës. Ta sulmosh me aq tërbim e urrejtje Shqipërinë – nëpërmjet Edi Ramës – dhe ta mbrosh gati paralelisht aq me urrejtje ndaj institucioneve tua, Serbinë – nëpërmjet Gjuriçit – ç’ka duhet të mendojë qytetari i Kosovës vallë, si do të të portretojë? Çka? Kur sulmon aq brutalisht shtetin tënd, ligjet e tua, Shqipërinë, je në gjendje të çmendesh për 10 Eurot për Shqipërinë dhe qorton shtetin tënd pse mbron kufijtë – me ato ligje që janë?
Inskenime? Kush, ku? A beson dikush vërtet se Kosova na është bërë aq “zojë e randë” saqë të dalë jashtë asaj agjendës që folëm në fillim, dhe të luajë “kaubojin me indianët” E shumadisë, me ato pak e dhjetëra policë duke pasur bondstillin brenda? Asociacioni i komunave? Ai është paralajmëruar moti se do të organizohet e bëhet? Është provokimi i Gjuriçit, trenit që pamundëson atë. Jo Republika e Kosovës. Po të ishin kosovarët, dakord, por a nuk është Serbia ajo që madje edhe financon shuma të mëdha për tërheqje njohjesh e shumëçka?
Ruana zot tu kërkosh mediave të Kosovës që të bëhen si ato serbe. Horror janë. Por ndoshta 1% të përgjegjësisë për vendin dhe shtetin siç e kanë ata, do ishte mirë ta kopjoni. Kështu siç veprojnë aktualisht jo ngase po krijojnë përshtypjen sikur të jenë vetëm ehoja e atyre që prodhohen metropolove kyçe të Serbisë.
Serbia është problem që provokon dhe nuk njeh Kosovën. Ajo fut e provokon me njerëz që janë fabrika e shovinizmit ballkanik. Pushteti i Kosovës deri tash ka toleruar gjithçka, dhe për këtë e kemi gozhduar me të drejtë. Po ç’kemi tash kur ai funksionon? Ia paska shtrënguar pak me tepër se duhet një miniputini serb që as i shkon mendja të kërkojë falje për mije¨ra viktimat dhe hynë e del në vendin tonë pas asnjë fije respekti? Plus: a i shikuam videot? Ishte një grup i madh që donte ta parandalojë aksionin e Policisë para se të hyjë në sallë?
Mendoj se nuk jemi objektiv. Ndaj tjerëve jo objektiv por edhe servil jemi – ndaj vetes jemi tiranë? Është kjo meritë e pushteteve të këqija? Ndoshta por kjo do të thoshte se jemi bërë pikërisht siç na donin ata – joobjektiv, joprofesional, irracionalë që zhvillojnë kampanja vetëlinçuese edhe kur nuk duhet.