Vendimi i qeverisë për pezullimin e dhënies së tapive të reja të tokave në bregdet ishte në fokus të emisionit “Real Story” në Vizion Plus.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi se ky vendim drastik synon t’i japë fund abuzimeve nga shkelësit e ligjit.
Ajo theksoi se ky vendim nuk cënon procedurat për pajisje me dokumentacion të pronarëve të ligjshëm. Ministrja Gjonaj theksoi se shumë prej pronave të përfituara në mënyrë të padrejtë janë bërë edhe me vendime gjykatash.
Lidhur me akuzat e opozitës për deputetin Alket Hyseni për përfitim pronash në mënyrë antiligjore, ajo tha se reforma që është iniciuar nuk do jetë selektive.
“Sa i përket deputetit Hyseni, ka mundësi ta mbrojë vetë rastin konkret. Por, është një rast që i përket, që është në organet gjyqësore dhe mund të them se pavarësisht se dalin raste të ndryshme, shpesh herë që dalin dhe nga opozita, jam e bindur që e gjithë reforma e pronës nuk do ketë as gjueti shtrigash dhe as kapje të selektuar”, tha Gjonaj.
Vettingu, Gjonaj: Procesi i pandikuar politikisht, anëtarët e KPK të pavarur
Ministrja e Drejtësisë Gjonaj ka komentuar edhe vendimin e dhënë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që shkarkoi gjyqtarin e parë. Bëhet fjalë për Fatos Lulon i cili ishte pejsë e Gjykatës Kushtetuese.
“Procesi i Vettingut është një proces që nuk kontrollohet. Për sa kohë që vlerësohet integriteti i gjyqtarit, i subjektit që do të rivlerësohet, kjo e bën të pamundur që të mund të kontrollohet procesi. KPK pardje dha vendimin e parë, por nuk ëhstë ky hapi i parë që mezi po pritet. Procesi i parë ëhstë pikërisht dorëheqjet e subjekteve pas hyrjes në fuqi të ligjit. Aty mund të them se ëhstë suksesi i parë, suksesi i dytë janë seancat që KPK po zhvillon. Sot kemi 17 gjyqtarë e prokurorë të dorëhequr që në janar të vitit 2017. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka asnjë lidhje me politikën, nuk kanë asnjë lidhje me PS. Janë zgjedhur të monitoruar nga KPK. S’mund të flasim për hakmarrje apo gjë tjetër kur diskutojmë vendimin e KPK”, tha Gjonaj./a.m.