Nga Jefferson Chase/
Në Gjermani, Agjencia Federale e Punësimit ka dhënë një lajm të mirë. Instituti i Kërkimeve për Punësim, pjesë e kësaj agjencie, ka raportuar se ekonomia është duke krijuar 650,000 vende pune këtë vit, 100,000 prej të cilave merren nga refugjatë. Në vitin 2018 pritet që Gjermania të ketë 46 milionë njerëz të punësuar, numër rekord për Gjermaninë e pas luftës.
Edhe personat që kanë qenë për një kohë të gjatë pa punë, kanë gjetur më në fund mënyrën për t’u kthyer në forcën e punës. Numri i vendeve të lira të punës ka arritur shifër rekord. Numri i të papunëve ka zbritur në 2.3 milionë, shifra më e ulët që pas ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990.
“Do të duhet kohë që potenciali i refugjatëve të shndërrohet në punësim domethënës”, shkruajnë autorët e raportit të Institutit të Kërkimeve për Punësim. “Por investimet ne arsim dhe mësim të gjuhës gjermane do të sjellin përfitime në taksa dhe në makroekonomi, në planin afatgjatë”.
Instituti thotë se refugjatët që kanë lënë vende në konflikt, si Siria, Iraku dhe Afganistani, nuk kanë qenë aspak barrë për ekonominë gjermane, por një forcë pozitive.
“Nga pikëpamja e përgjithshme, rritja e punësimit që kemi pasur kohët e fundit në Gjermani nuk do të kishte qenë e mundur pa emigrimin”, thotë Enzo Weber, drejtori i Departamentit të Kërkimeve Makroekonomike në Institutin e Kërkimeve për Punësim. “Trendi demografik për popullsinë në Gjermani është në rënie, dhe kjo kompensohet vetëm me anë të emigrimit dhe rritjes së vendeve të punës”.
Instituti thotë se emigrantët mund të gjejnë edhe më shumë punë nëse vazhdohet pa ndërprerje me procedurat që njohin diplomat dhe kualifikime të tjera që kanë marrë në vendet e origjinës.
‘Nuk ka ndikim domethënës’
Një tjetër lajm i mirë i dhënë nga ky institut, është se vendet e punës që po krijon Gjermania janë cilësore. Weber thotë se rritja është parë në vende pune ku punëdhënësit dhe punëmarrësit kontribuojnë në sistemin e kontributeve shoqërore. Numri i “mini-punëve” me pagë të vogël, të cilat përjashtohen edhe nga sistemi i kontributeve shoqërore, nuk pritet të ketë rritje.
Instituti Gjerman i Kërkimeve për Punësim kishte deklaruar në fillim të këtij viti se punësimi mes refugjatëve ishte rritur me 60%, edhe pse niveli i papunësisë mes tyre mbetej 43% të paktën deri në Nëntor të vitit 2017
Instituti refuzon idetë se shtimi i emigrantëve në tregun e punës po shkakton uljen e rrogave.
“Vala e emigrimit në Gjermani nuk ka ndikim në shifrat e papunësisë, as te të ardhurat për frymë apo në nivelin e pagave”, shkruajnë Weber the bashkë-autorja e tij, Sabine Klinger, në një studim tjetër. “Kjo tregon se emigrimi e ka rritur vëllimin e ekonomisë nëpërmjet dobisë së fuqisë punëtore”.
Megjithatë, Instituti pranon që situata është ende e paqartë për sa i përket ndikimit që kanë në ekonomi refugjatët e ardhur kohët e fundit, shumica e të cilëve nuk janë integruar ende në tregun e punës.
“Nuk përjashtohet ndikimi negativ që mund të ketë në ekonomi vala e refugjatëve të ardhur nga viti 2015 e më tej”, thonë Weber dhe Klinger, “pak gjasa ka që këto efekte të jenë shfaqur që tani”.
Edhe numri i aplikimeve për përkrahje shoqërore është rritur
Është ende e vështirë të qartësohet situata e vërtetë e punësimit mes refugjatëve në Gjermani, pasi statistikat për vendet e punës bazohen në kombësi dhe jo në statusin e refugjatit. E njëjta gjë vlen për statistikat e atyre që marrin pagesën minimale si përkrahje shoqërore, të quajtur “Hartz IV”.
Të dhënat e reja të qeverisë tregojnë se numri i azilkërkuesve që marrin “Hartz IV” mund të jetë rritur, ndërkohë që edhe numri i refugjatëve që gjejnë punë është gjithashtu në rritje. Duke iu përgjigjur kërkesës për informim të bërë nga partia e djathtë AFD, e cila është shprehur kundër emigrimit, qeveria gjermane raportoi se 1.6 milionë prej 5.9 milionë personave që kanë marrë pagesën “Hartz IV”, nga Nëntori 2016 e deri në Tetor të vitit 2017, kanë qenë emigrantë që vijnë nga vende jashtë BE-së. Kjo shifër është rritur, nga 1.36 milion që ka qenë 12 muaj më parë.
Qytetet e vogla dhe ato me popullsi mesatare janë ankuar se nuk strehojnë dot aq refugjatë sa u është kërkuar nga qeveria. Qytete si Cottbus (me 100,000 banorë) dhe Freiberg (41,600) në Gjermaninë lindore, apo “Salzgitter” (103,000 banorë) dhe Delmenhorst (77,000) në perëndim, kanë ngritur peticione në shtetet përkatëse federale, dhe kanë arritur të pengojnë prurje të tjera refugjatësh.
Këto katër qytete nuk qeverisen nga AFD, por kanë kryebashkiakë nga dy partitë më të mëdha gjermane, Kristian Demokratët dhe Social Demokratët.DW