Kreu i PD-së, ka pranuar sot përgjegjësinë e partisë që drejton që nuk mundi të përmbyllë me sukses një proces të nisur, për gjetjen e eshtrave të të ekzekutuarve me e pa gjyq të krimit komunist.
Basha kërkoi të njihet e drejta për reflektim.
“Edhe unë kam bërë gabimet e mia, ndaj kërkoj nga ju të më njihni të drejtën që i njoh secilit prej jush. Të reflektojmë së bashku, ejani të gjithë, të bashkohemi në gjirin e PD, është vendi dhe garancia e vetme për të drejtat e papërmbushura. Bashkë me ndjesën time dhe zotimin tim premtoj se do bëjmë gjithçka për të shembur diktaturën e krimit”, tha Basha.
Gjatë fjalës në ceremoninë e sotme, Basha deklaroi se ‘Krimi komunist shqiptar është më i rëndi në Evropë, por më i rëndë se krimi është zhdukja e gjurmëve të krimit, mosgjetja e eshtrave të 4500 të ekzekutuarve me e pa gjyq ka në themel kompleksin e kriminelëve komunistë për të zhdukur edhe gjurmët e krimit të tyre. Në emër të PD-së përsëris kërkesën për ndjesë, falje që ne nuk kemi arritur të përmbyllim me sukses këtë proces të gjetjes së eshtrave të paradhësve tuaj. Në 2010 u ngrit një komision, por as koha dhe as burimet financiare të vëna në dispozicion nuk mjaftuan drejt përfundimit. Bashkë me ndjesën e thellë dhe reflektimin për përgjegësin që eshtë e jona e PD. Zotohem sot se bashkë me ligjin që po hartojmë me kristiandemokratëve gjerman me kontributin tuaj dhe të shoqatave të tjera do ti kërkojmë Kuvendit që së bashku me ndalimin dhe kriminalizimin e simboleve të komunizmit të ndërmarrë angazhimin ligjor për gjetjen dhe nderimin e të ekzekutuarve që sot janë pa varr”- tha Basha.
Ai deklaroi më tej se drejtesia nuk kërkohet nga ata që bënë krimin.
“Ne po hartojmë një ligj, me ndihmën e kristian-demokratëve gjermanë dhe fondacionit “Konrad Ajdenauer”, dhe do t’i kërkojmë Parlamentit që së bashku me ndalimin dhe kriminalizimin e simboleve të komunizmit, të ndërmarrë të gjithë angazhimin ligjor për gjetjen e të gjithë të ekzekutuarve pa gjyq”, u shpreh Basha.
a.ç