Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist të kësaj të hëne, kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga deputeti Alket Hyseni, të dalë dhe të sqarojë akuzat për grabitjen e një prone në Dhërmi.
Hyseni është shprehur se pronën për të cilën akuzohet e ka shkëmbyer në natyrë dhe gjykata ka dhënë 8 vendime në favor të tij. “Pronën e shkëmbeva në natyrë, gjyqin e fituam 8 herë“, ka thënë Hyseni. Por kjo përgjigje e tij s’ka mjaftuar për Ramën. “Dil dhe sqarojë publikisht”, i është drejtuar kreu i qeverisë.
Sqarime i ka kërkuar edhe kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla. “Hyseni duhet te sqarojë situatën e tij”, ka thënë Balla.
Vëmendje gjatë kësaj mbledhje të deputetëve socialistë ka marrë edhe çështja e lobimit rus të PD-së. Porosia e Ramës për deputetët ka qenë që të ndjekin me vëmendje këtë çështje, duke nënkuptuar se mund të dalin në dritë të dhëna të tjera të bashkëpunimit të lidershipit demokrat me lobistët rusë.
Ndërkohë, gjatë kësaj mbledhje u është dhënë porosi deputetëve për t’u shpërndarë nëpër zona dhe të jenë aktivë.
a.ç