Rruga e Kombit do të jetë i pari aks në Shqipëri, që do të ketë pagesë për kalimin e automjeteve. Koncesionari i përbërë nga një kompani turke dhe 2 shqiptare, është në vitin e dytë të kontratës, ku pritet fillimi i tarifimit.
Sipas kontratës, përveç traut të pagesave, koncesionari duhej të kryente disa investime në dy vitet e para. Top Channel ka siguruar kostot e këtyre punimeve, të cilat nuk janë botuar në Fletoren Zyrtare.
Sipas të dhënave, investimi për 2 vitet e para shkon rreth 18 milionë euro. Por kur kanë mbetur më pak se 9 muaj nga afati final për kryerjen e investimeve, koncesionari ka përfunduar vetëm sheshin ku drejtuesit e automjeteve paguajnë taksën, për çdo kalim në tunel. Kjo është ura mbi Drin që duhet të rehabilitohet në 2 vitet e para, ndërkohe deri më tani nuk është kryer asnjë punim.
Aktualisht, koncesionari po investon rreth 936 mijë euro në rrethimin e autostradës, për ta mbrojtur në dy akset e saj nga rrëshqitja e gurëve. Sipas kontratës, koncesionari do të nisë të marrë subvencion nga shteti për trafikun e munguar, që në vitin e parë të vendosjes së pagesës.