Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se gjatë bisedimeve në Bruksel me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme e Siguri të BE-së, dhe me Hashim Thaçin, Asociacioni i Komunave Serbe nuk është zënë në gojë, citon Koha.net raportimin e medieve serbe, që raportojnë nga Brukseli. Sipas këtyre burimeve, Vuçiq ka thënë se “kanë kaluar 1799 ditë nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit, megjithatë thelbi i saj nuk është zbatuar”, duke aluduar në Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Analizuam çdo gjë tjetër, gjashtë pikat e para as që u prekën. Kjo nuk mund të jetë vetëm faj i shqiptarëve”, ka thënë Vuçiq. Siç është shprehur ai, shqiptarët me siguri prapë do të thonë “këtë do ta bëjmë javën tjetër”.
Duhet ta dinë se kjo nuk do të shkojë kështu. Kemi gjithsej 23 parime, Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për 22 parime thotë janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënw Vuçiq, transmeton Koha.net. Sipas tij është fyerje për serbët e Serbinë ajo që thotë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj se nuk ka pasur kohë të analizojë Marrëveshjen për Asociacionin.
Vuçiq ka deklaruar se “ka shkuar pikë pas pike” dhe ka treguar çfarë ka bërë Serbia, ndërsa ka shtuar se edhe nga ana BE-së nuk ka pasur fjalë të këqija për Serbinë. Presidenti i Serbisë ka thënë po ashtu se do të dalë me propozimin për Kosovën më vonë.“Do të ketë bisedime edhe më vonë, të gjithë duan zgjidhje para zgjedhjeve evropiane”, ka thënë Vuçiq, ndërsa ka shtuar se “luftërat më të rënda kanë përfunduar brenda 5 vjetësh, kurse Asocioni jo”, transmeton Koha.net. (b.an)