Raportuesja në Parlamentin Evropian për çështjen e regjimit të vizave për Kosovën, Tanja Fajon, ka përgëzuar vendin për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi duke shfaqur shpresën se qytetarët e Kosovës shumë shpejt do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.
Ajo nuk ka përmendur ndonjë datë specifike se kur mund të ndodhë një gjë e tillë, mirëpo ka thënë se Bashkimi Evropian do të punojë në këtë proces nëse janë plotësuar të gjitha kushtet.
Sipas saj, mosnjohja e Kosovës nga pesë vende të BE-së në parim nuk paraqet problem në çështjen e vizave. “Së pari, urime për Kosovën dhe urime për deputetët për këtë hap mjaft të rëndësishëm, si dhe siç po shpresoj unë, për regjimin pa viza për Kosovën së shpejti. Natyrisht, ne dhe unë si raportuese në Parlamentin Evropian, do të bëjmë gjithçka që sa më shpejt ta kemi edhe vendimin e Komisionit Evropian se tash janë përmbushur të gjitha kushtet, si dhe kushti tjetër, i fundit që ka qenë, lufta kundër korrupsionit, që pastaj të mund ta hedhim në votim në Parlamentin Evropian”, ka thënë Fajon, në një intervistë për REL.
Ajo ka shtuar se pret dritën jeshile nga Komisioni Evropian që të nisin procedurat.
“Unë pres që kur ta kemi dritën e gjelbër nga Komisioni Evropian – unë që dje i kam thirrur komisionarët së bashku me kolegët që këtë ta bëjmë sa më shpejt që është e mundur dhe të mos humbim kohë – dhe që pastaj ta votojmë në Parlamentin Evropian. Edhe një herë, pres që do të ketë mbështetje të mirë dhe unë do të bëjë gjithçka për këtë. Pastaj të drejtohemi kah Këshilli dhe vendet e Bashkimit Evropian aty. Duhet të punojmë shumë së bashku me politikanët tuaj në dialogun me Brukselin, në mënyrë që të mund t’i krijojmë shpejt kushtet që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm”, tha ndër të tjera Fajon.
a.ç