Interpol Tirana ka ekstraduar në vendin tonë dy shqiptarë nga Gjermania dhe nga Greqia, të dënuar për veprat penale mashtrim dhe trafik droge.
Nga Frankfurti është ekstraduar Shefki Lusha 49 vjeç nga Dibra. Në vitin 2015, ai u dënua nga Gjykata e Tiranës me 5 vjet burg për veprën penale të “Mashtrimit”. Shefki Lusha ka mashtruar shtetasit D.R, Q.B., A.R, dhe S.E., duke u marrë shuma të konsiderueshme parash, me premtimin se do tua kthente, por pasi u ka marrë lekët këtyre shtetasve është larguar jashtë vendit.
Ndërkohë, nga Athina u ekstradua Vasil Dervishaj 45 vjeç nga Berati. Më 1 Dhjetor 2013, në doganën e Kakavijes në dalje nga Shqipëria, gjatë kontrollit në makinën e tij tip Mitsubishi, u sekuestrua 19 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë.
Dervishaj është dënuar me 8 vite burg në 2014, nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafik droge.
a.ç