Ylli amerikan i muzikës pop, këngëtarja Cher njoftoi se mbylli llogarinë e saj në Facebook, pas skandalit të fundit të vjedhjes së të dhënave të 50 milion personave nga kompania Cambridge Analytica. Të njëjtën gjë mësohet se ka bërë dhe themeluesi i Whatsap Brian Acton, i cili ka nisur një fushatë për mbylljen e llogarive të Facebook nga përdoruesit e rrjetit më të madh social në botë, shkruan Javanews.al.
Braktisja e klientëve është vetëm njëra nga pasojat e skandalit që përfshirë Facebook këto ditë. Vetë Zuckerberg pranoi pak orë më parë se kishte gabuar dhe se ndjehej fajtor për atë që kishte ndodhur, pas vjedhjes së 50 milion llogarive private, nën regjinë e Steve Bannon, këshilltarit kryesor të presidentit Trump. Mësohet se Cambridge Analytica, e lidhur me Bannon, ka dhënë një kontribut të madh në fushatën presidenciale të Donald Trump. Edhe vetë Trump ka postuar një mesazh së fundi, duke u mburrur për rolin që patën rrjetet sociale në fitoren e tij. “Kujtoni, shkruan ai, kur thonin se nuk shpenzoja në rrjetet sociale sa Hillari Klinton? E pra tani nuk e thotë më askush këtë gjë!
Këto deklarime të fundit duket se kanë vënë në lëvizje edhe Robërt Mueller, prokurorin special që heton mbi influencën ruse mbi zgjedhjet amerikane. Sipas mediave amerikane, janë thirrur për t’u dëgjuar tashmë disa ish-menaxherë të fushatës së trump, për të kuptuar se si i kanë përdorur të dhënat e llogarive personale, që kanë pasur në dispozicion nga Facebook. Duket se skandali Cambridge Analytica nuk po përfshin më vetëm rrjetin social gjigand të Marc Zuckerberg, por mund të prekë së afërmi edhe hetimin e hershëm që po vijon, për rolin rus në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA, perfundon Javanews.al.