Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, gjatë vizitës së tij në Republikën Federale Gjermane, përveç takimeve me deputetë gjermanë të partive të ndryshme politike, zhvilloi dhe një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar për Çështjet e BE-së, me praninë e raporterëve për Shqipërinë në Bundestag.
Ministria e Jashtme në një njoftim për mediat sqaron se “Bushati bëri një panoramë të progresit të vendit tonë në fushën e reformave dhe adresimin e pesë prioriteteve kyçe dhe i njohu deputetët me pritshmëritë për hapjen e negociatave për anëtarësim”.
Duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e Gjermanisë ministri Bushati u shpreh se Shqipëria ka bërë hapa konkrete për të çuar përpara progresin drejt rrugës së integrimit evropian, duke nënvizuar nevojën e ruajtes së momentit të krijuar në zbatimin e reformave përmes avancimit në marrëdhëniet me BE.
Në këtë kontekst, Ministri Bushati i njohu deputetët me ecurinë e reformës në drejtësi, me fokus procesin e vettingut, rezultatet e arritura në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe bashkëpunimin e ngushtë me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere. Ai përmendi dhe rolin e vendit tonë si faktor stabiliteti në rajon.
Nga ana e tij, Kryetari i Komisionit për Çështje të BE-së në Bundestag, Gunther Krichbaum, vlerësoi progresin e bërë nga qeveria shqiptare në adresimin e 5 prioriteteve kyçe, duke evidentuar nevojën për përshpejtimin e zbatimit të reformave të ndërmarra e sidomos asaj në drejtësi, për vetë impaktin e saj në jetën e çdo qytetari shqiptar.
Ministri Bushati i kërkoi Bundestag-ut vazhdimin e mbështetjes në këtë rrugëtim transformues për vendin, për realizimin e të gjitha reformave të ndërmarra nga vendi ynë, në kuadër të çeljes së negociatave për anëtarësim, bazuar në meritë dhe në përmbushje të procesit të reformave.
Gjatë vizitës së tij në Gjermani, Ministri Bushati zhvilloi një takim edhe me Kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Bundestag Dr. Norbert Röttgen. Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi situatën në BE, perceptimin e procesit të zgjerimit si dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
a.ç