Oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të Drejtorisë së Policisë së Tiranës mbërritën këtë të mërkurë në pallatin e ndërtuar nga Luan Spahiu, në rrugën “Marko Boçari” në Tiranë.
Prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e aseteve në vlerë 10 milionë dollarë të Spahiut, pasi ai rezulton i dënuar në Gjermani me 5 vite burg për trafik kokaine nga Kolumbia. Akuza thotë se 53-vjeçari nuk i justifikon pronat dhe për këtë arsye ka nisur edhe një hetim pasuror.
Por oficerët e policisë hasën në kundërshtimin e banorëve, të cilët pretendojnë se i kanë blerë apartamentet me kontrata të rregullta nga ndërtuesi.
Pronat e Luan Spahiut, i njohur edhe me emrin Luan Pinari nisën të sekuestrohen për shkak të Ligjit Antimafia. Sipas Prokurorisë, rezulton ato janë përfituar nga trafiku i kokainës. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se ndaj Pinarit pritet të nisë një proces për veprën penale të pastrimit të parave./Tv Klan
ma.me