Nga Edi Rama*
Mund të vazhdoj dhe unë në italisht, por kemi ardhur këtu për t’u integruar në Europë, sepse në Itali tashmë jemi të integruar. Do doja të bëja një falenderim nga zemra për Presidentin, për mikun tonë të dashur dhe kreun e vlerësuar të diplomacisë në BE-së, Federica Mogherini, gjithashtu edhe për zotin Sasoli, për këtë nismë mjaft bujare për t’ju mbledhur sëbashku të gjithë juve në emër të miqësisë për Shqipërinë, në një moment mjaft thelbësor për ne, që është në prag të publikimit të Raporti të Komisionit dhe të takimit të Këshillit Europian që do të vijojë.
Ne mendojmë se meritojmë plotësisht çeljen e bisedimeve për anëtarësim. Jam i sigurt që për shumë nga njerëzit në këtë sallë, që e njohin historinë tonë dhe të gjitha përpjekjet që janë bërë nga vendi në vitet e kaluara, nuk është e vështirë të kuptohet se pse është kaq me rëndësi që të hyjmë në këtë fazë të re. Megjithatë për të tjerë është po kaq rëndësi që të dinë se sa përpjekje e po ashtu, nëpërmjet sa shumë vështirësish kemi kaluar për të mbërritur në këtë moment.
Nga fjala e Presidentit do t’i referohesha asaj çfarë hera herës e marrim të mirëqenë, apo merret e mirëqene dhe që ka të bëjë me situatën aktuale në Ballkan që prej 2014, kur kemi një ndryshim mjaft thelbësor e të rëndësishëm, që është vullneti i përbashkët për të punuar sëbashku drejt një të ardhmeje më të mirë, për të bashkëpunuar e për ta sjellë të gjithë rajonin në një nivel tjetër, në kuptimin reciprok e të respektit të ndërsjellët. Njëkohësisht, ashtu siç e tha mjaft mirë Presidenti, është një rajon ku jo për arsye që nuk janë thënë e për arsye që janë të thella, ne kemi kaluar konflikte e kemi kaluar luftëra dhe një rajon, i cili ka një strukturë mjaft komplekse besimesh fetare dhe etnish.
Sot, ky është një rajon, i cili i është përkushtuar tërësisht projektit europian, por po kështu, një hapësirë ku aktorë të tjerë kërkojnë të bëjnë ndërhyrje potenciale me një vizion mjaft të qartë gjeostrategjik. Kësisoj, ne dhe askush tjetër në këtë ndërtesë, a në këtë qytet nuk duhet ta harrojë se ajo që është arritur është një arritje mjaft e madhe, por është po me kaq rëndësi që kjo arritje të mbrohet e të përforcohet, në mënyrë që të sigurohemi që e ardhmja nuk do të na kthejë fantazmat e të shkuarës.
Gjithsekush sot i flet gjithsekujt në rajon dhe ajo çka vetëm pak vite më parë ishte e vështirë për t’u përfytyruar, është jeta reale, e përditshme, e rajonit sot. Kjo nuk ndodh sepse jemi më të mirë sesa etërit tanë, apo paraardhësit e tyre, sepse jetojmë kohët e sotme në një hapësirë ku ka një fjalë të përbashkët kyçe, që ka forcën për të na mbledhur sëbashku e kjo fjalë kyçe është Europa.
Europa është një fe në rajonin tonë, që mbledh e bën bashkë gjithkënd, pavarësisht etnisë dhe besimit të tij fetar.
Mund të dukemi naivë, në një moment kur Europa vihet në dyshim në shumë vende të mëdha europiane. Mund të shfaqemi të paduruar, por nuk jemi as naivë e as të paduruar, thjesht e dimë çfarë do të thotë lufta, që nuk është rasti për shumë europianë, të cilët nuk kanë parë luftë e ndonjëherë harrojnë që kjo është kështu për shkak të Bashkimit Europian përmbi të gjitha.
Vijmë nga një rrugëtim i gjatë edhe si vend. E në qoftë se do të vëmë re ritmin e integrimit, është shumë e qartë që ata që kanë mbërritur të parët në Europë, në fakt patën kohëra më të lehta për t’u rilidhur me të kaluarën e tyre, me të kaluarën kur kishin shtete, kishin institucione, kishin akademi, rrjete fetare, e kështu me radhë.
Për ne, ndërkohë kjo nuk është kaq e lehtë, sepse e shkuara jonë nuk ishte aspak bujare dhe procesi i shtetndërtimit për të gjitha vendet në rajon dhe po flas edhe për Shqipërinë, është një proces i ri. Nuk është diçka që ka ndodhur më parë.
Natyrisht që kishim një shtet më parë. Kishim shtetin komunist dhe përpara shtetit komunist patëm disa vite të pushtimit nazist dhe fashist. Më parë patëm 500 vjet nën Perandorinë Otomane. Kështu që ndërtimi i institucioneve, ndërtimi i një shteti funksional dhe ndërtimi i një demokracie funksionale është një proces mjaft i rishtë.
Integrimi në Bashkimin Europian, me të gjitha standardet e piketat e veta, me të gjitha përparësitë kyçe dhe të gjithë pjesën tjetër, përbën një instrument unik që nuk ka asnjë alternativë. E në këtë drejtim, procesi është absolutisht po aq i rëndësishëm, në mos më i rëndësishëm se vetë anëtarësimi, pasi është një proces, i cili i mban të gjithë bashkë për një qëllim të përbashkët.
Në Shqipëri patëm diktaturën më brutale komuniste, por pa mendojeni, nuk patëm parti komuniste pas rënies së komunizmit e në të njëjtën kohë, deri më tani nuk kemi pasur asnjë parti populiste që do dilte me pretendimin e një alternative tjetër, e një varianti tjetër që është përtej atij të Bashkimit Europian. Kështu që mund të biem dakord të gjithë dhe kemi rënë dakord të gjithë se ky është destinacioni ynë dhe jemi të gjithë të gatshëm të sakrifikojmë e të mbështetim reforma mjaft të dhimbshme.
Dua t’ju them një hollësi, e cila flet shumë. Ne ndryshuam Kushtetutën tonë dhe pa mendojeni, kemi të vetmen Kushtetutë në botë, ku një Operacion Ndërkombëtar Monitorimi është një fuqi kushtetuese që sigurohet se reforma jonë në drejtësi është reale dhe ajo çfarë përmendi Presidenti, që procesi i rivlerësimit i çdo gjyqtari e i çdo prokurori është real.
Përse e bëmë? E bëmë sepse besojmë fort se pikë së pari, na duhet për breznitë e ardhshme një sistem drejtësie i mirëfilltë, i drejtë, i ndershëm dhe funksional. E po ashtu, sepse ne duam dëshpërimisht që ky integrim të ecë përpara e më në fund të ndodhë.
Kështu që gjyqtarët dhe prokuroret nga Europa dhe nga Amerika janë mbledhur bashkë në këtë Operacion Monitorimi Ndërkombëtar, i cili garanton të tërë procesin e Vettingut të çdo gjyqtari e prokurori në vend, pas ndryshimit të Kushtetutës, në mënyrë që të kemi një sistem të ri drejtësie. E jam i sigurt se ata mund t’ju thonë se sa seriozisht e kemi marrë ne këtë e se sa e thellë është kjo reformë. E meqë ra fjala, sot, së paku 17 pesha të rënda të sistemit të vjetër janë tërhequr. Nuk kanë hyrë në procesin e Vettingut, ndaj në një farë mënyre janë vetëpërjashtuar, duke nisur nga ish Prokurori i Përgjithshëm dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese e të Gjykatës së Lartë, që është një ndryshim i jashtëzakonshëm.
Ky proces rivlerësimi dua që të gjithë ta kujtoni, ishte i vetmi element supozimi i përmendur në rekomandimin e Komisionit në 2016, që përcaktonte se rekomandojmë çeljen e negociatave me kusht që procesi i rivlerësimit të vazhdojë dhe ky proces në fakt po vazhdon. E ndërkohë do të fillojë procesi i seancave dëgjimore publike për çdo gjyqtar dhe prokuror. Ndaj çdo gjyqtar duhet të kalojë këtë proces, që është procesi i apelimit, që t’i përgjigjet elementëve që kanë të bëjnë me integritetin e vendimmarrjes në të shkuarën dhe me legjitimitetin e pasurive që kanë.
Duke mbështetur përherë integrimin e çdo vendi e duke mirëpritur edhe procesin e negociatave që po ecën me Serbinë dhe Malin e Zi, do doja të bëja një koment që në raport me Strategjinë për Zgjerimin të Komisionit, Serbia dhe Mali i Zi presupozohet që të nisin me një plan veprimi, i cili do të trajtojë reformën në drejtësi, çka nënkupton që ata duhet të ndjekin modelin shqiptar dhe ata po negociojnë, ndërkohë që ne nuk e kemi nisur akoma procesin e negocimit.
Unë e di që në këtë proces ka dy aspekte, është aspekti teknik dhe ai politik. Sidoqoftë mendoj se Shqipëria nuk e meriton që të jetë subjekt i problemeve të brendshme të një vendi apo një tjetri, që të kushtëzohet nga dinamikat e brendshme atje dhe besoj fort që forcat populiste apo antieuropiane nuk do të dobësohen më tej, nëse Shqipëria nuk do të çelë bisedimet.
Nuk besoj se ky është një pretekst i mirë për të thënë që kemi disa populistë, disa antieuropianë, pra, kemi disa njerëz që janë të çmagjepsur me Europën, ndaj duhet të tregojmë kujdes e kësisoj Shqipëria nuk mund t’i çelë menjëherë bisedimet. Nëse kjo do të ndihmonte për të luftuar populizmin, jemi të gatshëm ta bëjmë këtë sakrificë e të themi që “s’po i hapim bisedimet, por ju lutem hiqini këta qafe”, por asgjë nuk do të ndryshojë.
Ti bësh vendet si tonat, që janë kaq të përkushtuar ndaj Bashkimit Europian, të paguajnë, apo të vuajnë një kosto, e cila nuk është aspak pjesë e barrës së përgjegjësive që ne kemi, është plotësisht joeuropiane, sipas këndvështrimit tim.
Sigurisht, ne e dimë që çdo vend, ndoshta jo çdo vend, por që kur Rumania e Bullgaria ishin në valën e dytë, nuk i di të tjerat e që ishin të gatshme të hynin, iu desh të përballeshin me etiketime të caktuara. Kur bullgarët po përpiqeshin të bënin atë që po bëjmë ne tani, ata u etiketuan si vendi që donte të vriste Papën dhe ishte kudo. Ndërsa rumunët u etiketuan si vendi që furnizonte Europën me prostituta. Malazezët u etiketuan si kontrabandistë dhe tashmë, me Shqipërinë ka diçka që është vërtet fyese, krimi etnik shqiptar. Këtu e aty, në qytete të ndryshme.
Unë nuk mendoj se pikë së pari, kjo vërtet tregon realitetin, ashtu siç është. E së dyti, me gjithë respektin e duhur, nuk besoj se të thuash që shqiptarët po marrin këtë perandori të krimit në Europë është serioze, është qesharake.
Ne kemi probleme me krimin e organizuar, por asgjë të veçantë, ne këtë luftë duhet ta bëjmë, ashtu siç të gjitha vendet që e kanë kaluar këtë. Ne nuk po vijmë këtu të themi që duam të bëhemi anëtarë, sepse e dimë që nuk jemi të gatshëm të bëhemi anëtarë. Kemi probleme me korrupsionin, kemi probleme me krimin e organizuar, kemi probleme me ndërtimin e institucioneve dhe kjo është arsyeja pse duam të nisim bisedimet e të hymë në një fazë të re, e cila do të japë shumë herë më tepër ndikim edhe vetë Komisionit dhe do të jetë një përgjegjësi shumë herë më e madhe për të gjithë ne.
Na u desh të përballemi me problemin e kanabisit. Kanabisi, nuk ishte hera e parë që rritej në vend gjatë këtyre viteve, sepse ishte një histori e vjetër e një sëmundje po kaq e vjetër dhe ne vendosëm që të luftonim kundër tij. Unë jam shumë i lumtur që jo ne, por Guardia di Finanza italiane ka bërë publik një raport që tregon se e kemi çrrënjosur një herë e mirë kanabisin në vitin 2017, sëbashku me ta, të cilët janë partnerë mjaft të çmuar, sëbashku me agjenci të tjera italiane, me policinë dhe me agjenci të tjera ndërkombëtare.
Kështu, dua ta përmbyll dua të them që Shqipëria nuk po kërkon ndonjë dhuratë. Nuk po kërkon asnjë lloj favori që nuk e meriton. Po kërkojmë thjesht çeljen e negociatave, sepse e meritojmë. Kemi bërë një nga një çdo gjë që është e shkruar në fletoren e detyrave të Shqipërisë dhe e kemi bërë sipas rregullave aty. Sigurisht nuk e kemi bërë sepse Brukseli na e kërkon që ta bëjmë këtë gjë. Ne i kemi bërë të tilla gjëra, kur asokohe Pekini apo Moska na e kërkonin. Sot ne e bëjmë sepse është e mirë për vendin tonë, sepse është e mirë për brezat e ardhshëm. Por e bëjmë në të njëjtën kohë, sepse duam që të marrim nga Brukseli, pranimin që e kemi bërë dhe dritën e gjelbër nga vendet anëtare për të nisur bisedimet për anëtarësim e kjo është arsyeja pse gjendemi këtu.
Natyrisht, duket sikur po i predikojmë korit, megjithatë, të gjithë ne që jemi këtu në këtë sallë, sëbashku me miqtë e Shqipërisë, mund t’i bëjmë gjërat të ndodhin dhe të sigurohemi që ata që janë më skeptikë të kuptojnë që çelja e negociatave me Shqipërinë nuk është krijimi i një problemi të ri potencial, por është thjesht çelja e një procesi që do ta bëjë Europën më të fortë. Pasi Ballkani ka nevojë dëshpërimisht për Europën, por edhe Europa ka nevojë për Ballkanin strategjikisht. Pra, ose do të jemi Europë, ose, siç tha Presidenti, do të jemi në një situatë ku të tjerët do të jenë një shqetësim për vetë Europën.
*Fjala e kryeministrit Edi Rama në dëgjesën e grupit “Miqtë e Shqipërisë” në Parlamentin Europian, në Bruksel: