Ekspertët kushtetues janë optimistë se pavarësisht kohës që do të marrë, reforma në drejtësi do të japë frutet e saj me pastrimin e gjyqësorit si hap i parë dhe me kthimin e besimit të publikut te drejtesia si objektiv final.
Të ftuar në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi në RTSH 1, kryetari i grupit të eksperteve për reformën në drejtësi, Kristaq Traja dhe juristi Darian Pavli, sqarojnë se deri tani është krijuar infrastruktura e re mbi të cilën do të funksionojë sistemi i drejtësisë, por rezultatet e vettingut dhe reformës në tërësi do të kërkojnë më shumë kohë.
“Një kupolë njerëzish të iluminuar që kanë kulturën juridike të duhur mund ta vendosin sistemin në shina. Dhe kjo nuk do aq shumë kohë. Të themi 5 vjet, po pse jo”, tha Traja në emisionin “Përballë”. Ndërsa juristi Darian Pavli u shpreh:
“Shpresoj më pak, në kuptimin që të mos shohim një paralelizim të sistemit sepse kjo do të ishte shumë e gjatë, po për të parë frytet të plota të investimit që është bërë do të ishte një periudhë e arsyeshme”.
Sipas konstitucionalistit Kristaq Traja, ajo për të cilën ka nevojë sistemi i drejtësisë në Shqiperi, është gjykimi mbi bazën e precedentëve, vendime te ngjashme për raste të ngjashme.
“Drejtësia nuk mund të bëhet ndryshe përveçse duke vendosur linja, ku çështje të ngjashme zgjidhen në mënyrë të ngjashme për të eleminuar pabarazinë.
Ju e shikoni, çështje të ngjashme, zgjidhen ndryshe.
Po në një fushë ku ka precedentë, politika është e kllaposur”, tha Traja.
“Integriteti dhe kontrolli i integritetit do të ndihmonte edhe për kontrollin e respektit të precedentit”, u shpreh Pavli.
Institucionet e reja të drejtësisë janë në fazën përmbyllese.
Tashmë promovimi, karriera dhe disiplinimi i gjyqtarëve në të gjitha nivelet nuk është më në dorën e politikës. E me këtë ndryshim thelbësor pritet të ketë një adresim ndaj shqetesimit kryesor të BE-së dhe publikut shqiptar: dhënien fund të kulturës së pandëshkueshmërisë.