Dy emrat që i sollën Vetëvendosjes dy komuna, atë të Prishtinës dy herë dhe Kamenicës, dolën nga partia në kohën e valës së dorëheqjeve tjera. Shpend Ahmeti e Qëndron Kastrati zyrtarisht nuk kanë deklaruar nëse janë me Grupin e Pavarur.
Visar Ymeri në Rubikon të KTV-së bëri të ditur se janë në bisedime dhe se beson se që të dy do të jenë pjesë e tyre. “Besoj që do të jetë. Jemi në diskutime se çka mund të bëj. Jemi duke diskutuar dhe ende nuk ka marrë formë të re.
Besoj që po, natyrisht dhe jo vetëm ata”, ka thënë ai. Ymeri theksoi se tashmë janë vetëm Grup Parlamentar mirëpo në një të ardhme të afërt do të jenë edhe subjekt politik.
“Nuk ka arsye për t’u ngutur, më mirë është ta bëjmë një subjekt me koncept të qartë politik. Po flasim për kornizat tona ideologjike”, ka thënë ai. Ai la hapësirë se grupit te tyre mund t’u bashkohen edhe emra të tjerë. Sipas tij, brenda partisë ka ende njerëz të pakënaqur, të cilëve vazhdimisht po u ngushtohet hapësira për kundërshtim.