Mes personave të akuzuar për skandalin e tjetërsimit të pronave në Lezhë është edhe 58-vjeçarja Gjelina Bacaj, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkinë Lezhë.
Ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Por ajo që bie në sy është se kjo zyrtare rezulton me precedentë dhe bëhet fjalë për një vepër të ngjashme penale.
Në vitin 2013, ajo është akuzuar dhe dënuar për “shpërdorim detyre”.
Aso kohe ajo ka shpërdoruar detyrën duke nxjerrë dokumente false për disa shtetas sikur figuronin të patrajtuar me pronë. Në këtë mënyrë ajo u shpërndau toka padrjetësisht 4 personave.
Në atë kohë, Bacaj ishte zyrtare e Komunës së Shënkollit dhe ka lëshuar vërtetime për personat.
“Nga këqyrja e këtyre vërtetimeve, është konstatuar se ato janë nënshkruar nga Gjelina Bacaj, me cilësinë e përfaqësueses së Komunës Shënkoll dhe SH.G., me cilësinë e përfaqësuesit të SAMT Lezhë”, thuhet në materialin e prokurorisë të asaj çështjeje.
Vërtetimet mbajnë vulën e Komunës Shënkoll dhe të Këshillit të Qarkut të Lezhës. Mbi vendimin e Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Lezhë, eksperti kriminalistik i Drejtorisë së Policisë Shkencore Tiranë, me akt ekspertimin grafik “shkrimi e nënshkrimi”, nr. 2252, datë 27.02.2013, ka konkluduar se dorëshkrimet e plotësimeve ndërmjet teksteve në vërtetimet e lëshuara në emër të të pandehurve Z.N. dhe K.B. janë shkruar nga shtetasja Gjelina Bacaj”./a.m.