Një shtetas grek dhe një shqiptar janë arrestuar në dy operacione të ndryshme në afërsi të kufirit me Shqipërinë.
Ata akuzohen si trafikantë emigrantësh, pasi u kapën duke transportuar me automjetet e tyre qytetarë shqiptar, që nuk kishin dokumente të rregullta.
Në rastin e parë, në aksin rrugor Kapshticë– Siatista, u ndalua një 47 vjeçar shqiptar, në mjetin e të cilit ndodheshin tre bashkatdhetarë me moshë 31, 35 dhe 40 vjeç. Sipas policisë, që të tre ata kishin hyrë në territorin grek në mënyrë klandestine dhe 47 vjeçari kishte marrë përsipër t’i çonte në destinacion kundrejt pagesës.
Mjeti i dytë, që drejtohej nga një shtetas grek i moshës 62 vjeç, u ndalua në afërsi të pikës kufitare të Kapshticës. Bashkë me të u arrestuan edhe tre qytetarë të tjerë shqiptarë, të moshës 24, 34 dhe 35 vjeç, që gjithashtu kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Greqi.
Që të tetë u dërguan në prokurori, ndërkohë që policia më parë sekuestroi dy automjetet, 11 celularë dhe një shumë parash prej 1820 euro.
a.ç