Më 17 prill, Komisioni Europian do të publikojë ‘paketën e zgjerimit’, e cila, sipas burimeve nga BE, pritet të njoftojë dorëzimin e rekomandimeve në Këshillin Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Pikërisht lidhur me perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, të martën, më 20 mars, në Bruksel, do të mbahet një konferencë me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, së bashku me Presidentin e Parlamentit Europian, Antonio Tajani, përfaqësuesen e Lartë e BE, Federica Mogherini, e organizuar nga eurodeputeti David Sassoli.
“Shqipëria është e gatshme për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian”, deklaron eurodeputeti David Sassoli, duke shtuar se “vitet e fundit, ajo është angazhuar në reformat që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, qeverisjes, ekonomisë dhe drejtësisë”
Ky takim parashikon një javë vendimtare për dialogun midis Tiranës dhe Brukselit, ku negociatorët shqiptarë do të jenë në Bruksel të hënën më 19 mars. Dhe fjala e fundit do të jetë për 28 vendet anëtare të BE, shkruan “g.sh”.
Kushti i fundit që duhet të plotësojë Tirana është zbatimi i plotë i reformës në drejtësi, e cila përfshin procesin e verifikimit të përbërjes së organit gjyqësor në vend. Komisioni ka rekomanduar qysh në nëntor të 2016-s çeljen e negociatave të anëtarësimit mes BE dhe Shqipërisë, duke nënvizuar domosdoshmërinë e çuarjes përpara të reformës në drejtësi dhe zbatimin konkretisht të procesit të vetingut.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama e ka thënë para pak javësh në prani të Presidentit të Komisionit Evropian Jean Claude Juncker se Shqipëria i meriton negociatat, por kjo do të varet më pas nga vendimi i 28 vendeve anëtare të BE-së.
“Ne do jemi përkrah Shqipërisë për ta ndihmuar të përgatisë anëtarësimin. Në mënyrë që vende të tjera të bashkohen me Bashkimin Europian do të na duhet që të gjitha problemet, grindjet ndërmjet vendeve kufitare të jenë të zgjidhura deri në datën e anëtarësimit”,-tha Juncker, ndërsa ishte në Shqipëri, në kuadër të turit rajonal. Një nga problemet që mbetet ende për t’u zgjidhur është ai me Greqinë për një marrëveshje të re detare. Mbetet ende në pritje vendimi i Presidentit Ilir Meta për t’i dhënë qeverisë autorizimin për negocim.
a.ç