Pas vendimit të gjykatës për sekuestro preventive dhe pezullimit të shefit të Urbanistikës, IKMT ka bllokuar punimet për ndërtimin e hotelit 7 katësh në zonën bregdetare. Objekti po ndërtohej midis rrugës kombëtare pranë “Urës së Dajlanit” dhe bregut të detit.
Report Tv denoncoi rastin në datë 16 dhjetor të vitit të kaluar, pak ditë më parë në 13 mars, prokuroria pezulloi shefin e Urbanistikës për dhënien e lejes, ndërsa vendosi sekuestro preventive për objektin në ndërtim deri në përfundim të hetimeve të nisura për këtë rast.
Ndërsa sot, IKMT njofton se ka bllokuar punimet. “Vendimi është në zbatim të urdhërit të prokurorisë së Durrësit dhe në kuadër të zbatimit të ligjit për ndërtimet në zona me rëndësi kombëtare dhe bregdet. Në bashkëpunim me të gjitha institucionet e shtetit, jemi te vendosur ne zbatimin e ligjit” deklaron institucioni.
Njoftimi i prokurorisë së Durrësit në datë 13 mars
Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës miratoi kërkesën e Prokurorisë së Durrësit për të vendosur caktim të masës së sigurimit me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të detyrës” së Drejtorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, për shtetasin Adhurim Qehajaj, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” (ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë 26.02.2007) parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.
Kërkesa e mësipërme vjen pas hetimit mbi dhënien e një lejeje zhvillimi dhe ndërtimi nga Bashkia Durrës për objektin në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi që ndodhet ndërmjet rrugës Kombëtare tek “Ura e Dajlanit” dhe bregut të Detit.
Prokuroria arriti në përfundimin se leja e dhënë nga Bashkia Durrës është në kundërshtim me kriteret e ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” i ndryshuar, dhe VKM nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit” i ndryshuar.
Objekti me sipërfaqe 1516.8 m2 ndodhet brenda kufirit kufizues të përcaktuar si Zonë me Rëndësi Kombëtare, në pjesën e Brezit Bregdetar.
Gjithashtu Gjykata në Durrës vendosi caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive në lidhje me objektin dhe truallin duke urdhëruar:
-Pezullimin e kryerjes së mëtejshme të punimeve të ndërtimit në objektin “Hotel 5-6 kate dhe 1 kat nëntokë” në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi, lagje nr. 13, Plazh, Durrës.
-Pezullimi i kryerjes së transaksioneve në pasurisë në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi.
Prokuroria saktësoi se leja e zhvillimit dhe ndërtimit është dhënë për një zonë të përcaktuar si të Rëndësisë Kombëtare dhe është Këshilli Kombëtar i Territorit organ kompetent përgjegjës për të miratuar lejet e zhvillimit dhe të ndërtimit për zona të rëndësisë kombëtare.
ma.me