Italia dhe Greqia janë dy vendet me numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë, të cilët kanë punuar e vazhdojnë të punojnë në këto shtete fqinje. Por, mungesa e një marrëveshjeje bilaterale Shqipëri- Greqi apo Shqipëri- Itali, sjell pamundësinë për të bashkuar periudhat kontributive, pra mosnjohje reciproke e viteve të punës me sigurime në Shqipëri dhe në Itali apo Greqi.
Dy ditë më parë, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati deklaroi se kjo çështje shumë shpejt do të marrë një zgjidhje, pasi të tre shtetet janë duke punuar për arritjen e një marrëveshjeje. Ndërkaq, e pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, Beskida Aliaj, specialiste në fushën e pensioneve, njëkohësisht përfaqësuese e Patronatit INAS CSL në Shqipëri, tregon shkaqet e mungesës së kësaj marrëveshjeje bilaterale. “Së pari, nuk ka një reciprocitet, ndërkohë që emigracioni shqiptar në Itali është në numër shumë të madh, punonjësit italianë që janë këtu në Shqipëri dhe që trajtohen sipas ligjit shqiptar janë në numër shumë të vogël.
Së dyti, Italia dhe Greqia po kalojnë periudha të vështira ekonomike, ne ndjekim hap pas hapi zhvillimet ekonomike në Itali dhe rezulton se kohët e fundit ekonomia italiane ka qenë në recension dhe vazhdon të jetë e tillë. Po në këto kushte është edhe Greqia. Mund të themi që si rezultat i krizës ekonomike është rritur shumë edhe papunësia, që influencon direkt te emigrantët tanë”,-thekson Aliaj për “GSH”. Më tej kjo e fundit bën me dije se kriza ekonomike, dhe kosto që kanë këto vende për të përballuar pensionet e emigrantëve duket se janë ndër shkaqet primare që e kanë shtyrë firmosjen e këtyre marrëveshjeve. Kështu, shqiptarët që kanë punuar në Itali, të cilët nuk kanë 20 vite kontribute nuk përfitojnë pension pa u riatdhesuar në Shqipëri.
Në rastin kur një emigrant shqiptar që ka punuar në Itali 19 vjet dhe në Shqipëri 14 vjet; nuk përfiton pension nga Italia se nuk ka plotësuar 20 vjet për t’u futur në kushte pensioni; e po ashtu edhe në Shqipëri nuk përfiton, sepse ka 14 vjet dhe nuk ka plotësuar 15 vite për të marrë të paktën pension të pjesshëm. Pra 33 vite pune me kontribute të emigrantit shqiptar, nuk reflektohen në të ardhurat që mund të ketë. Kështu që në rast të bashkimit të periudhave kontributive; në rast të një marrëveshje bilaterale krijohet tërësisht mundësia për të marrë përfitime nga të dy shtetet. Ekspertja e pensioneve Aliaj, shton se nëse kjo marrëveshje do të arrihej do të kishte përfitime të shumta për emigrantët që kanë derdhur mundin e tyre duke punuar në shtetet fqinje.
“Qeveria shqiptare ka mbyllur një sërë marrëveshjesh të tilla me vende si Belgjika, Turqia, Rumania apo Luksemburgu ndërsa është në negociata edhe me Italinë dhe Greqinë, finalizimi i të cilave do të ishte zgjidhja e “jetës” për shumë familje shqiptare, të cilat do mund të merrnin pension për vitet që kanë punuar si në Shqipëri dhe në Greqi apo Itali, pa qenë e nevojshme që të riatdhesohen”,-nënvizon Aliaj. Gjithashtu, ajo tregon se deri më tani plot 11 shtete e kanë firmosur këtë marrëveshje me Shqipërinë si Belgjika, Luksemburgu, Turqia, Gjermania, Çekia, Rumania, Hungaria, Austria, Kanadaja, Hungaria dhe Maqedonia. Më tej ekspertja e pensioneve shpjegon konkretisht sesi mund të përfitohet pensioni në rastin e nënshkrimit të marrëveshjes bilaterale.
“Një person që ka punuar 10 vite në Shqipëri; që nuk përfiton aktualisht nga ligji shqiptar; dhe 10 vite në Itali që aktualisht nuk përfiton nga ligji italian, po t’i bashkohen këto vite, atëherë ky plotëson vjetërsinë kontributive; pra 10 vite në Itali, plotëson edhe 10 vite në Shqipëri dhe i bashkohen këto dy periudha. Këtë ka qëllim dhe marrëveshja bilaterale, për njohjen dhe bashkimin e dy periudhave kontributive, dhe pastaj në marrëveshje çdo shtet; secili shtet do të japë kontributin e vet. Nuk diskutohet! Pra, Shqipëria do të japë kontributin për 10 vitet që qytetari ka punuar në Shqipëri, dhe Italia do japë kontributin e saj, gjithashtu, për të njëjtin individ që ka punuar edhe në këtë shtet”,-thekson Aliaj.
ma.me